Foto: Kallxo.com

Dialoguesit takohen me ambasadorët

Liderët e institucioneve të Kosovës dhe bashkëdrejtuesit e ekipit negociator për rreth një orë kanë diskutuar prapa dyerve të mbyllura me diplomatë të huaj rreth çështjes së dialogut me Serbinë.

Në këtë takim kanë marrë pjesë Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëdrejtuesit e ekipit negociator Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj.

“Ideja e takimi ishte me tregu seriozitetin e përkushtimit të Kosovës për dialogun e ardhshëm me Serbinë. I njoftuam ambasadorët për koordinimin që ekipi do ta ketë me institucionet shtetërore”, tha Fatmir Limaj pas takimit.

“Po i bëjmë përmbledhjen e fundit e gjitha materialeve. I kemi marrë materialet e qeverisë dhe kemi marrë premtim prej presidentit që do t’i marrim dokumentet”, tha ai.

Limaj shtoi se janë inkurajuar nga ambasadorët që “t’i vazhdojmë proceset tona për t’i inkuadru edhe tjerët në proces”.

Foto: Kallxo.com

Duke folur për vizitën e 8 janarit që Limaj me Ahmetin do ta bëjnë në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel, ai tha se atje do të priten “nga ata që e kanë ndërmjetësu dialogun”.

“Ne do të shkojmë në Bruksel shpejt. Jemi të interesuar të futemi në dinamikë të shpejtë të arrijmë marrëveshje në interes të dy shteteve tona”, tha Limaj.