Dhurata Hoxha flet për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha u shpreh se Kosova është afër procesit për liberalizimin e vizave por që sipas saj, kjo nuk mund të ndodhë deri pas përfundimit të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian.

Këto deklarata i bëri gjatë një takimi me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të hënën.

“Ka ende punë sepse shtetet anëtare nuk dëshirojnë të marrin një vendim para se të përfundojnë zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Kriteret për liberalizim janë përmbushur, tani jemi në hapin e fundit dhe në takimin e qershorit të Këshillit të Ministrave të kemi një vendim. Pra në këtë aspekt është thanë se ka ende punë, pasi që secili shtet anëtar duhet të votoj. Por që, duke parë se jemi në prag të zgjedhjeve të PE-së asnjë nga shtetet anëtare nuk dëshirojnë të diskutojnë për liberalizim para zgjedhjeve të PE-së”, tha Hoxha.

Tutje, në këtë konferencë Hoxha ripërseriti se Kosova nuk ka humbur asnjë cent dhe që janë në rrugë te mirë për përfitime tjera nga Fondi i Bashkimit Evropian.