Klinika Emergjente e QKUK-së - Foto: Facebook/UranIsmajli

Dhomat për të burgosurit në QKUK kundërshtohen nga KLMDNj

Tani e tutje të gjithë të burgosurit dhe paraburgosurit që kanë nevojë për trajtime mjekësore, këto shërbime do mund t’i marrin në tri klinika të ndryshme brenda Qendrës Klinike Univeristare.

Kjo pasi komisioni i formuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK),i përbërë edhe nga udhëheqës të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë vendosur që brenda Klinikës së Kardiologjisë, Kirurgjisë dhe Ortopedisë të ketë nga një dhomë të sigurt që do menaxhohen nga Shërbimi Korrektues.

Megjithatë, kjo zgjidhje po kundërshtohet nga organizatat që merren me të drejtat e njeriut. Deri tek kjo zgjedhje ka ardhur pas arratisjeve të shumta që personat e privuar nga liria kanë bërë gjatë trajtimit mjekësor.

Por përkundër kësaj, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu ka thënë për kp, se përmes këtyre tri dhomave do ofrohet siguri më e madhe për të burgosurit gjatë trajtimit mjekësor, si dhe do ofrohen kushte më të mira mjekësore.

Sejdiu ka treguar se tashmë këto dhoma janë në dispozicion të Shërbimit Korrektues dhe se ato do menaxhohen nga ky shërbim, i cili do kujdeset për pajisjen me infrastrukturën e nevojshme.

“Janë të ndara tani tri dhoma të cilat janë të emëruara për Shërbimin Korrektues të Kosovës, që në fakt sipas nevojës do të shfrytëzohen edhe për pacientët tanë, do jenë dhoma të cilat do të menaxhohen në bashkëpunim edhe me Shërbimin Korrektues të Kosovës, dhe besoj që do jenë kushte më ideale, dhe kjo zgjidhje do jetë më e mirë sepse ne si institucion shëndetësor do kemi parasysh se do trajtojmë pacientë çfarë natyre janë të burgosur apo të lirë…Është në Klinikën e Kardiologjisë, një dhomë në disa klinika kirurgjike diku janë të emëruara këto dhoma, kanë filluar dhe janë në dispozicion të shfrytëzimit nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, ka thënë ai.

Brenda QKUK-së kanë qenë edhe tri dhoma tjera të sigurta të vendosura në Klinikën e Psikiatrisë, por në mungesë të kushteve dhe stafit të duhur mjekësor, ato nuk janë shfrytëzuar. Lidhur me këto dhoma, drejtori i SHSKUK-së ka deklaruar se ato do i kthehen SHSKUK-së për të dhënë shërbime për personat me probleme psikike.

Në anën tjetër, zgjidhja e SHSKUK-së sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nuk është afatgjate dhe e duhura. Kjo organizatë po insiston që të ndërtohet një spital brenda hapësirave të Shërbimi Korrektues të Kosovës.

Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala derisa nuk pajtohet me këtë zgjidhje për kujdesin mjekësor ndaj personave të privuar nga liria, ka thënë se brenda Shërbimit Korrektues ka hapësirë të mjaftueshëm për të ofruar shërbime mjekësore, po që sipas tij nevojiten investime në infrastrukturë dhe staf mjekësor.

“Zgjidhja e vetme është që këta persona brenda objektit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, jo në Qendrën Klinike Universitare, jo në spitale rajonale, hapësirë fizike ka sa të doni, domethënë SHKK tash është duke punuar me kapacitete 45 deri 55 përqind të vendosjes se janë ndërtuar shumë objekte të panevojshme….Më mirë në planin afat gjatë është që të investohet në një spital brenda burgut. Më mirë në planin afat gjatë është që të investohet në një spital brenda burgut çoftë edhe i kushtueshëm sesa të bëhen eksperimente me dhoma të sigurta, me dhoma të pasigurta në këtë klinik në atë klinik …Kjo nuk është zgjidhje, kjo jo që nuk është zgjidhje por kjo krijon situata ku favorizohen ata të cilët kanë një përkrahje politike”, ka thënë Shala.

Sipas tij, dhomat e sigurta brenda hapësira të QKUK-së janë vetëm vazhdim i diskriminimit në favor të të fortëve, dhe në të keqe të atyre që nuk kanë përkrahje politike apo mundësi materiale.

“Ka shumë të burgosur që kanë ndikim që janë në vuajtje të dënimit që ata kur të duan vijnë në spital, hiq pa pasur asnjë grip ata vijnë në spital…Dhe ata që nuk kanë fare nevojë për shërim vijnë në spital dhe rrinë nga një apo dy muaj, ndërkaq ata të cilët nuk kanë as përkrahje politike as mundësi materiale dhe familje të forta ata ndoshta e pësojnë në aspektin shëndetësor, për shkak se askush nuk merret me ta apo i trajton sipërfaqësisht dhe jo në përputhje me nevojat që i kanë. Ndërtimi i dhomave të sigurta është vetëm vazhdim i diskriminimit do jetë një favor për të fortit, dhe do jetë një diskriminim për ata që nuk kanë krahë të fortë“, ka deklaruar ai.

E në zyra për informim brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës duke mos dhënë detaje i ka thënë se është duke u punuar në caktimin e dhomave të sigurta brenda QKUK-së, dhoma këto të cilat do të jenë të siguruara me kamera dhe pajisje teknike. Duke iu referuar dhomave të sigurta që kanë qenë në Klinikën e Psikiatrisë, SHKK ka thënë se aty nuk ka pasur kushte që të trajtohen personat e privuar nga liria.

“Dhomat e sigurta që gjenden vetëm në Repartin e Psikiatrisë , përdoren për raste psikiatrike. Meqenëse kemi të bëjmë me probleme të shumta shëndetësore të të burgosurve është e pamundur të trajtohen të gjitha kategoritë në një vend. Këto dhoma deri më tani nuk janë përdorë, sepse SHKSKUK nuk ka pas staf teknik të mjaftueshëm, dhe për shkak të natyrës së sëmundjeve ka qenë e pamundur trajtimi i të gjitha kategorive në të njëjtin vend. Komisioni i formuar nga SHSKUK, në kuadër të cilit jemi edhe ne është duke punuar për të caktuar dhomat e sigurta, kryesisht nëpër repartet ku rastet janë më të shpeshta. Dhomat do të sigurohen me pajisje teknike dhe kamera, si dhe do të jenë në funksion të SHKK-së”, thuhej në këtë shkresë.

Kujtojmë që javë më parë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës është arratisur një i paraburgosur, ku për këtë rast, përgjegjës u nxorën dy gardianët të cilët ishin të angazhuar në kohën e arratisjes së këtij të paraburgosuri. Gardianët fillimisht u suspenduan dhe pastaj u arrestuan për këtë rast./ RTV21