Arma e konfiskuar nga Policia e Kosoves Foto: Policia e Kosoves

Dhomat e Dëshmive në Policinë e Pejës pa sistem alarmi, dështon tenderi

Policia e Kosovës muajin e kaluar ka publikuar në E-Prokurim një njoftim për kontratë për instalimin dhe konfigurimin e sistemit të alarmit kundër thyerjes në Dhomë të Dëshmive në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë.

Njoftimi ishte hapur më 22 maj dhe ka qenë i hapur për aplikuesit deri më 31 maj.

Në këtë tender kanë aplikuar dy operatorë ekonomikë, të cilët kanë ofruar vlerën më të vogël të çmimit për instalim.

Por dy ditë më parë i njëjti tender është anuluar dhe vendimi për anulimin është publikuar në E- Prokurim.

Arsyetimi i Policisë së Kosovës për anulimin e këtij tenderi është se operatorëve ekonomik u kanë munguar ofertat e përgjegjshme.

“Dy operatorët ekonomikë të cilët kanë aplikuar për të fituar tenderin e hapur nga Policia e Kosovës është dashur të plotësojnë kriteret si: të përmbushin kërkesat mbi përshtatshmërinë e Ligjit mbi Prokurimin Publik, të mos ketë borxh në ATK, operatori të posedojë një dokument nga Gjykata se i përmbush kërkesat e përshtatshmërisë, operatori të ketë vërtetim nga një gjykatë kompetente ku vërteton se drejtuesit, menaxherët e tij gjatë dhjetë viteve të kaluara nuk janë shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme, OE të ketë staf teknik të specializuar në lëmin e sistemeve të sigurisë te fusha e alarmeve të vjedhjes si dhe të kenë katalog ose broshura në detaje për pajisjen që do të instalohej me karakteristikat teknike të prodhuesit”.

Sipas njoftimit i cili është publikuar në E-Prokurim, operatori ekonomik “N.P. SH. Elting- Electronies”, është eliminuar për shkak se i njëjti operator nuk i ishte përmbajtur afatit kohor të nisjes apo përfundimit të kontratës.

Në dosjen e tenderit të Policisë së Kosovës thuhet këta të fundit kanë kërkuar që afati i nisjes dhe përfundimit të kontratës për instalimin e alarmit të vjedhjes në Drejtorinë Rajonale të Pejës të jetë në kohëzgjatje prej 5 ditëve kalendarike ndërsa operatori “N. P. SH Elting- Electronies”  ka ofruar një dokument në të cilën ka shkruar se afati i instalimit do të jetë 30 ditë nga pranimi i urdhër blerjes.

Operatori tjetër i cili kishte aplikuar për këtë çështje ishte “ 2- TECH Sh.P.K”.

Policia e Kosovës ka thënë se i njëjti operator ishte treguar i papërgjegjshëm në kërkesat që i ka bërë Policia.

Në njërën nga kërkesat e dosjes së tenderit të Policisë së Kosovës është kërkuar që operatorët ekonomikë të kenë katalog ose broshura në detaje për pajisjen që do të instalohej me karakteristikat teknike të prodhuesit si dhe të ketë staf teknik të specializuar në lëmin e sistemeve të sigurisë te fusha e alarmeve të vjedhjes.

Për të dy këto kërkesa, Policia e Kosovës ka kërkuar sqarime nga e njëjta kompani por në afatin e përcaktuar kohor për sqarime nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga operatori ekonomik.

Në Dhomën e Dëshmive në stacionin policor në Pejë, në periudhat shkurt- prill të vitit 2012 ishin vjedhur 25 kilogramë ar.

Në atë kohë kjo çështje kishte marrë vëmendje pasi që ari ishte nxjerrë nga stacioni jashtë mureve të ndërtesës nga një zyrtar policor.

Në po atë kohë katër zyrtarë policorë u patën arrestuar si të dyshuar në lidhje me rastin.