Sahit Sylejmani, kryetari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme - Foto: KALLXO.com.

Dhoma e Posaçme Zgjidhi Vetëm 9,4% të Lëndëve

Nga 23,764 lëndët që i kishte në punë sivjet, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme i ka zgjidhur 2,230., Sahit Sylejmani,

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, e cila merret me lëndët që kanë të bëjnë me privatizimin, ka kryer vetëm 9.4 për qind të tyre.

Më 2016 ajo trashëgoi 22,027 lëndë, të cilave gjatë këtij viti iu shtuan edhe 1,737. Ndërsa, prej tyre i zgjidhi 2,230.

Rezultatet dhe sfidat e vitit 2016 i prezantoi para mediave Sahit Sylejmani, kryetari i Dhomës së Posaçme.

“Në fillim te vitit 2016 kanë mbetur pa u kryer nga vitet paraprake 22,027 lëndë të të gjitha natyrave.  Nga janari 2016 janë pranuar edhe 1,737 lëndë. Gjithsej në punë deri më 16 dhjetor 2016 janë 23,764 lëndë”, tregoi Sylejmani.

Sipas tij, gjatë këtij viti janë zgjidhur 2,230 lëndë në të dy shkallët.

Në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kanë mbetur pa u kryer edhe 21,534 lëndë në të dy shkallët.

Mungesën e më shumë rezultateve kryetari e arsyetoi me faktin se Dhoma që nga fillimi i punës së saj  në qershor të vitit 2003 nuk ka pasur 20 gjyqtarë, ashtu siç është e përcaktuar me ligj.

“Vetëm ky vit kur u dekretuan edhe dy gjyqtare vendore, DhPGJS-ja ka numrin e përcaktuar me ligj të gjyqtarëve por jo edhe numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që i duhet Gjykatës”, tha Sylejmani.

Sahit Sylejmani, u ankua edhe për mungesën e stafit profesional edhe të stafit mbështetës administrativ.

“Gjykata ka nevojë jo vetëm t’i plotësohen pozitat tashmë të lejuara me organogramin e aprovuar nga KGjK-ja por ajo ka nevojë të mbështetet duke lejuar pozitat të reja si  për staf profesional edhe për staf administrativ”, tha ai.

Po ashtu, Sylejmani u ankua edhe për mungesë të hapësirës për punë.