Dhjetë vjet pa historianin Zekeria Cana, IAP mban tryezë shkencore
Instituti Albanologjik i Prishtinë ka mbajtur të enjten, më 10 janar 2019, tryezën shkencore, “Jeta dhe vepra shkencore e prof.dr. Zekeria Canës”.
Konferenca është organizuar me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së historianit Cana, ish punëtor shumë vjeçar i IAP-së.
Për të kujtuar dhe çmuar kontributin shkencor, shoqëror e politik të historianit Zekeria Cana, studiuesit pjesëmarrës të kësaj tryeze potencuan kontributin që Cana ka dhënë për historiografinë shqiptare, sidomos në zbardhjen e së vërtetës historike dhe që historianët serbë propagandojnë kur është në pyetje Kosova dhe shqiptarët.
Ndërsa është veçuar edhe kontributi që Cana ka dhënë në zhvillimet e viteve 90’-ta të shekullit të kaluar që karakterizuan Kosovën.
Duke çmuar kontributin e Canës, Hysen Matoshi, drejtor i IAP-së ka thënë me këtë rast se profesor Zekeria Cana bën pjesë në galerinë e personaliteteve më të rëndësishme të Institutit Albanologjik, vepra shkencore dhe veprimtaria intelektuale e të cilëve ka pasur ndikim edhe në rrjedhat e jetës sonë shoqërore.
“Gjithë veprën shkencore dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme të Canës i përshkon vetëdija e gatishmërisë për të marrë hisen e detyrës profesionale dhe hisen e detyrës morale të kohës në planin e zhvillimeve të përgjithshme në faza e në ngjarje të rëndësishme historike”, ka pohuar ndër të tjerash në fjalën e tij drejtori Matoshi.