Dhjetë fshatrat e Skenderajt me ujësjellës por ende pa ujë
Inaugurimi i sistemi të ujësjellësit për 10 fshatra në Skenderaj ende nuk ka mundësuar furnizimi me ujë për 10 mijë banorët.
KALLXO.com kupton se banorët e fshatrave Qubrel, Kllodernicë, Kopiliq i Epërm, Kopiliq i Poshtëm, Kostërc, Rakinicë, Tushilë, Vajnikun dhe një pjesë të fshatit Kërnicë dhe një pjesë e fshatit Turiqec, si të përfshirura në këtë projekt, ende nuk kanë ujë.
Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal ‘Mitrovica’, Sami Miftari tha për KALLXO.com se problemi për këto fshatra do të zgjidhet brenda këtij muaji.
“Janë duke punuar vazhdimisht, po bëhet monitimi i orëve matëse. Të gjithave fshatrave do t’u vijë rendi”, tha Miftari.
Projekti i inaugurimit të ujësjellësit në fshatrat e Skenderajt i cili financohet nga Qeveria e Zvicrës dhe Qeveria e Kosovës është bërë javën e kaluar.
Ky projekt kap vlerën prej 1 milion e 230 mijë euro.
Të mërkurën, ambasadori zviceran, Jean Hubert Lebet, i pranishëm në ketë inaugurim ishte shprehur i ashpër ndaj institucioneve të vendit duke thënë se “Nuk është normale ne ta financojmë ujësjellësin, e ju t’i financoni veteranët e rrejshëm”.
https://kallxo.com/ambasadori-i-zvicres-nuk-eshte-normale-ne-ta-financojme-ujesjellesin-e-ju-ti-financoni-veteranet-e-rrejshem/