Foto: Facebook

Dhimbja e LDK-së, Votuesit e Saj po i Bashkohen VV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas një komunikate të LDK-së, e cila ironizonte me sondazhin, i cili sipas saj ishte porositur nga VV, dhe e akuzonte këtë të fundit për sulme me armë të rënda luftarake kundër institucioneve.

Në reagimin e saj, VV nuk e mohon se ka paguar para për “një numër pyetjesh” në kuadët të sondazhit të kompanisë “UBO Consulting”, por thotë se nuk ka kurrëfarë parregullsie këtu dhe se pyetje të tilla kontraktojnë edhe partitë e tjera.

Vetëvendosje thotë se ka paguar 1,770 euro, me procedura të rregullta bankare dhe në mënyrë krejt transparente, për çka ka ofruar edhe faturën.

Vetevendosje

“Kjo sjellje e LDK-së, duke mos pranuar të vërtetën, por duke iu kundërvënë më veprime historike, nuk është as e re e as e papritur. Në vitin 2013, e drejtuar edhe atëbotë nga Isa Mustafa, kur ky i fundit kandidonte për kryetar të Prishtinës, LDK-ja nuk i pranonte as sondazhet e institutit slloven ‘IFIMES’, i cili e nxirrte fitues kandidatin e VETËVENDOSJE!-s Shpend Ahmetin”, thotë VV lidhur me komunikatën e LDK-së.

“Duke mos u marrë seriozisht as atëherë me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej dhe duke u deklaruar se do ta fitonte Prishtinën “me duar në xhepa”, Isa Mustafa dhe LDK-ja i humbën zgjedhjet në kryeqytet, gjë të cilën sot e asaj dite nuk po mund ta pranojnë”, thuhet më tej në komunikatën e partisë kryesore opozitare.

Më tej, Vetëvendosje në reagimin e saj thotë se frazeologjia boshe për politika zhvillimore nuk e ndihmon dot LDK-në që gënjen për hapjen e 120 mijë vendeve të punës.

“Kurse, deklarimeve bajate e të pavërteta në lidhje me përfaqësuesit e huaj diplomatikë dhe kontakteve të tyre me ne, më së miri iu dha përgjigje Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila erdhi në takim në zyrat tona, tre ditë pasi LDK-ja dhe klani Pronto donin ta paraqisnin organizatën tonë si “terroriste””, thuhet më tej në komunikatë.

“E me akuza për kaos, ekzekutime, anarki e vrasje, LDK nuk bën gjë tjetër përveç vetëvrasje politike”, thekson VV.

“Përpjekja qyqare e LDK-së për të etiketuar, shpifur e akuzuar, nuk do ta ndalë dështimin dhe rënien e mëtutjeshme të kësaj partie të kapur e të kontrolluar nga kokat e krimit në Kosovë”, thuhet po ashtu në komunikatën e Vetëvendosjes.

Teksa i bën thirrje LDK-së t’u japë fund kumtesave me akuza e shpifje, Vetëvendosje thekson se me gjithë këto, shumica e përkrahësve të rinj të saj vijnë pikërisht nga votuesit e LDK-së. “Dhe kjo pa dyshim e shqetëson këtë parti, e vetëdijshme për tradhtinë që iu bëri këtyre votuesve”, thuhet në komunikatë, të cilës ia ka bashkëngjitur edhe një foto nga sondazhi, sipas të cilit 18.5% e votuesve të LDK-së vijnë te VV.