Agim Bahtiri, AKR, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com

Dhënia e subvencioneve pa kritere nga Komuna e Mitrovicës

Mos respektimi i kritereve për dhënien e subvencioneve nga ana e Komunës së Mitrovicës, ishte njëra nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018, për këtë komunë.

Sipas ZKA-së, nga katër përfitues të subvencioneve, dy prej tyre nuk i kishin plotësuar kriteret, pasi të njëjtit nuk kanë dëshmuar se tokat ishin në emër të tyre.

“Për subvencionin me ‘Sera me sipërfaqe nga 200 m² dhe 50 m²’ ishin përcaktuar kushtet dhe kriteret për përfitimin e serave. Sipas njoftimit, një ndër kriteret ishte që përfituesit të kenë tokë bujqësorë (prone e tij, ose të kontraktuar për shfrytëzim minimum 10 vite)”, thuhet në raport.

“Nga pagesa në vlerë prej 13 mijë e 749 euro, kemi testuar katër përfitues, dy prej tyre, nuk kishin plotësuar kriterin, pasi që përfituesit, nuk kishin dëshmuar se tokat ishin në emër të tyre, ndonëse ishin përzgjedhur si të përgjegjshëm dhe ishin përfitues të subvencioneve”, vijon më tej e gjetura e raportit.

Krejt kjo, sipas Auditorit kishte ndodhur për arsye se komisioni vlerësues nuk kishte respektuar kritere të njëjta për dhënien e subvencioneve, duke neglizhuar procesin mbi kriteret bazë.

ZKA vlerëson se mos respektimi i kritereve të njëjta për të gjithë përfituesit mund të shpie në keqpërdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton përfituesit tjerë potencial.

Auditori ka rekomanduar se  kryetari i komunës, duhet të sigurojë se komisioni vlerësues përzgjedhë përfituesit në përputhje me rregullat dhe kriteret e vendosura në rregulloren për subvencione, në mënyrë që procesi të jetë në dobi të atyre që plotësojnë kriteret.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2018.