Milo Crnoja duke paraqitur dorëheqjen. Foto: BETAPHOTO/HINA/Daniel KASAP/DS

‘Dezerton’ Ministri që Kërkoi Regjistrimin e Tradhtarëve

Pas më shumë se një dite diskutime në qeverinë kroate, ministri i veteranëve të luftës, Mijo Crnoja dha dorëheqjen të enjten në mbrëmje.

Raportimet e medias e kishin akuzuar Crnojan për raportim fals të një vendbanimi, mashtrim me taksat dhe sigurimin shëndetësor, akte dhune fizike dhe dhunim të pronës private. Që nga fillimi ai i hodhi poshtë pretendimet.

Ai e mbrojti çështjen të mërkurën dhe të enjten përpara kryeministrit Tihmori Oreskoviç dhe zv. kryeministrit Tomislav Karamarko, gjithashtu kryetar i partisë së Bashkimit Demokratik Kroat. Ekspertë ligjorë u thirrën për të vlerësuar dokumentet që ai paraqiti për pafajësinë e tij.

Ndërsa lajmëroi dorëheqjen të enjten, Crnoja sërish përsëriti pretendimin se ishte i pafajshëm.

“Pavarësisht se provat e mia tregojnë se jam i pafajshëm, figura e medias mbi mua është e padrejtë, por gjithsesi nuk dua t’i bëhem problem  ose barrë qeverisë,” tha ai.

“Kam dorëzuar dorëheqjen te kryeministri,” përfundoi ai.

Oreskoviç dha gjithashtu një përgjigje mbrojtëse për të. “Sot ai dha dorëheqjen dhe unë e pranova. E falënderoj që luftoi për vendin e tij si mbrojtës. Do të gjejmë së shpejti një person të ri. I uroj gjithë të mirat Crnojas,” përfundoi ai.

Crnoja dha dorëheqjen gjashtë ditë pasi u emërua si ministër më 22 janar. Ai shkaktoi polemika të menjëhershme me idenë e regjistrimit të tradhtarëve dhe agresorëve kundër Kroacisë në luftën për pavarësi në vitet 1990.

Kjo tërhoqi protesta dhe reagim satirik ku 7000 njerëz nënshkruan si tradhtarë për t’u tallur.

Problemet e vërteta të tij filluan të hënën kur portali i lajmeve Index tha se ai nuk e kishte regjistruar siç duhet banimin e tij.

Index zbuloi se adresa që ai kishte dhënë i përkiste një kasolleje në një qytet afër Zagrebit.

Ai e pranoi fajin dhe premtoi se do t’i kthente të gjitha taksat që kishte shmangur që nga viti 2013 te bashkia e Zagrebit.

Telashet i vazhduan pasi mediat raportuan dyshimin se ai kishte kryer një sulm fizik në të shkuarën, që ai provoi se nuk ishte i vërtetë.

Media gjithashtu raportoi për një dënim të shkallës së parë ndaj tij, për dhunim prone private.