FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Detajet e tenderit për ndërtimin e TC ‘Kosova e re’

Kompanitë e interesuara për të bërë ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë kanë mundësi aplikimi deri më 2 gusht të këtij viti në tenderin e hapur nga kompania amerikane ‘ContourGlobal’. Kjo e fundit pas lidhjes se marrëveshjeve me Qeverinë e Kosovës për termocentralin e ri tani ka hapur tender për ndërtimin e tij.

Sipas njoftimit të kësaj kompanie pas zgjedhjes së kompanisë fituese në tender, ndërtimi pritet të fillojë në dhjetor të këtij viti.

“Procesi i përzgjedhjes është një tender konkurrues ndërkombëtar në dy faza, duke ndjekur Udhëzimet e Zbatueshme të Prokurimeve të Bankës Botërore. Ai përbëhet nga një proces fillestar përzgjedhës i ndjekur nga kërkesat për propozime. Afati i fundit për aplikacionet për përzgjedhjen fillestare është 2 gusht 2018”, thuht në njoftim.

CountorGlobal në njoftim thekson se ndërtimi i këtij termocentrali do të zëvendësojë prodhimin e rrymës nga termocentrali ekzistues ‘Kosova A’.

“Si pjesë e kësaj strategjie, termocentrali Kosova e Re do të zëvendësojë njësitë aktuale të vjetruara të termocentralit Kosova A”, thuhet në njoftim

Kjo kompani konsideron se fillimi i ndërtimit të termocentralit shënon një moment historik për ekonominë vendase.

Sipas tyre ajo do të përfaqësojë investimin më të madh të huaj të drejtpërdrejtë në vend dhe do të ndihmojë në krijimin e rreth 10,000 vendeve të punës gjatë fazës së ndërtimit.

Po ashtu do të përmirësojë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, duke i dhënë fund humbjes prej 300 milionë eurosh në vit, të shkaktuar nga furnizimi aktual i pabesueshëm i energjisë në Kosovë.

Kompania madje thotë se termocentrali i ri me qymyr do të ndikojë edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Fabrika e re do të rezultojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në masë të madhe duke reduktuar emetimet e ndotësve kryesorë dhe do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit të njerëzve që jetojnë dhe punojnë në rajon. Emetimet e pluhurit do të reduktohen me 93%, ndërsa SOx dhe NOx do të reduktohen me 84% dhe 93% respektivisht, duke ulur CO2 me 37%”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Çështja e ndërtimit të Kosovës së re ka hyrë në një fazë të veçantë pas raportimeve se Banka Botërore nuk do të përkrah këtë projekt. Mos-përkrahja projektit nga Banka Botërore do të bëjë këtë termocentral edhe më të shtrenjtë, për shkak të rritjes së interesit për marrjen e kredive. Shtrenjtimi i projektit do të ketë ndikim edhe më të marr në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë qëndrim nëse do të vazhdojnë me këtë projekt në rast se tërhiqet Banka Botërore.

https://kallxo.com/kosid-banka-boterore-po-mbeshtet-zhvillimin-e-energjise-se-paster-ne-kosove/

Edhe Organizata Ndërkombëtare e Komunitetit të Energjisë ka lëshuar opinionin preliminar mbi kontratën e Qeverisë së Kosovës me ‘Contour Global’ për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë.

Ky opinonin erdhi me kërkesën e pjesëmarrësve në konferencën “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës” të mbajtur në Prishtinë në fillim të qershorit 2018.

https://kallxo.com/rreziqet-e-projektit-kosova-e-re-sipas-sekretariatit-te-energjise/

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar lidhur me atë se si është arritur marrëveshja për këtë termocentral dhe kritikat mbi këtë marrëveshje.

Nga Ngjizja e Deri te Nënshkrimi i Marrëveshjes për Termocentralin