Prokuroria Themelore Pejë

Detaje, shqiptari 25-vjeçar dyshohet se keqpërdori seksualisht një vajzë rome nën 16 vjeçe

Një 25 vjeçar është arrestuar mbrëmë nga Policia në fshatin Breskovik të Pejës për keqpërdorim seksual të të miturës.

Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje rreth këtij rasti.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.

“Është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, është parashtruar kërkesa për paraburgim ndaj të pandehurit”, ka thënë Nikçi.

Ai tutje ka shtuar se ndaj të pandehurit, Prokuroria në Pejë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për veprën penale keqpërdorim seksual ndaj të miturës.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin pasi që i njëjti dyshohet ta ketë keqpërdorur seksualisht viktimën e moshës së mitur.

Gjatë ditës së djeshme në Drenas është arrestuar rreshteri i Policisë, nën dyshimin se ka dhunuar dhe keqpërdorur seksualisht një të mitur 16 vjeçare.

KALLXO.com ka marrë vesh se Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji policit i cili po dyshohet për dhunim dhe ngacmim seksual ndaj të miturës nga Drenasi.

https://kallxo.com/paraburgim-ndaj-policit-te-dyshuar-per-dhunim-dhe-ngacmim-seksual/

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast po vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast.

Në ndërkohë sot Prokuroria Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest ndaj mësimdhënësit të nxënëses 16 vjeçare nga Drenasi nën dyshimin për dhunimin dhe keqpërdorimin seksual të së miturës, për të cilin rast gjatë ditës së djeshme u arrestua edhe polici V.V.

Ngjarja e cila e tronditi opinion publik në Kosovë dyshohet se fillimisht ndodhi pasi që e mitura kishte shkuar për ta raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësi.

Gjatë ditës së djeshme mediat raportuan se viktima e mitur kishte shkuar në polici poër të raportuar ngacmimin e mësimdhënësit por që më pas kishte rënë pre e dhunimit dhe keqpërdorimit seksual edhe nga polici.