Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Dështon të Mbahet Seanca Kundër të Akuzuarve për Krim të Organizuar

Seanca e planifikuar të mbahej sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është shtyrë për shkak se munguan dy prej të akuzuarve.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në seancë sot nuk ishin të pranishëm të akuzuarit Demë dhe Albion Lokaj.

I akuzuari Albion Lokaj nuk e ka arsyetuar mungesën e tij edhe pse sipas Gjykatës ai ishte ftuar në mënyre të rregullt, ndërsa për të akuzuarin Demë Lokaj avokatja e tij Shqiponjë Ibërdemaj i dorëzoi Gjykatës një dokumentacion mjekësor të Spitalit Regjional në Pejë me të cilin ka arsyetuar mungesën e të mbrojturit të saj.

Kryetari i trupit gjykues  Beqir Halili kërkoi nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre që të jenë të pranishëm në seancën e radhës, e cila u caktua te mbahet me 13 prill.

Ne seancë ishin të pranishëm edhe dy ekspertët e paraparë të dëgjoheshin sot Xhevdet Krasniqi dhe Shaban Baftiri.

Ky gjykim është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave.