ARKIV - Nga seanca e gjykimit ndaj Asdren Mekajt. Foto: Kallxo.com

Dështon të fillojë gjykimi ndaj Asdren Mekajt

Me kërkesë të palës së dëmtuar është shtyrë data për fillimin e mbajtjes së gjykimit ndaj Asdren Mekajt.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat Tomë Gashi, ditë më parë ka dorëzuar në gjykatë një parashtresë nëpërmjet të cilës ka kërkuar që të ketë një shtyrje të shqyrtimit gjyqësor, kjo për arsye të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të një anëtari të familjes të palës së dëmtuar,

Sipas kërkesës së avokatit Gashi gjendja shëndetësore është e rëndë, andaj pala e dëmtuar Zef Gruda dhe Pal Gruda nuk mund të jenë të pranishëm në shqyrtim, e prania e tyre është e domosdoshme duke  marrë parasysh llojin e veprës penale.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, nuk ka caktuar datë për mbajtjen e seancës së ardhshme, përderisa pala e dëmtuar të lajmërojë që janë të gatshëm të marrin pjesë së seanca.

Në këtë proces gjyqësor Asdren Mekaj akuzohet për veprën penale të detyrimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Më tutje aktakuza e prokurorisë speciale të cilën e përfaqëson Merita Bina – Rugova, pretendon se në këtë mënyrë i pandehuri Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Me datën 23 tetor, ishte e paraparë të fillojë gjykimi ndaj Asdren Mekajt, por në të njëjtën seancë mungoi mbrojtësi i Mekajt, avokat Besnik Berisha.

Në atë seancë përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat Tomë Gashi, dhe prokurorja e rastit ishin të të njëjtit mendim që rasti ndaj të akuzuarit për detyrim, Asdren Mekaj, të bashkohet me rastin e gjykimit për fajde të njohur si ‘rasti Kqiraj’.

https://kallxo.com/lenda-e-asdren-mekajt-mund-te-bashkohet-ne-gjykate-me-rastin-per-fajde-ndaj-kqirajve/

Por  rasti ndaj Asdren Mekajt do të vazhdon të gjykohet si rast në vete, pasi kryetari i trupit gjykues gjyqtari Xheladin Osmani, nuk  e aprovoi kërkesën e avokatit Tomë Gashi dhe të prokurores së çështjes nga prokuroria speciale, Merita Bina – Rugova.

https://kallxo.com/rasti-mekaj-ndahet-nga-rasti-i-tune-kqirajt/

Në shqyrtimi fillestar Asdren Mekaj  lidhur me akuzat e prokurorisë speciale ishte deklaruar ”Nuk ndihem fajtor. Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj gjykate”.

Në këtë rast është mbajtur edhe shqyrtimi i dytë gjyqësor, mbrojtësi avokat Besnik Berisha, kishte paraqitur kundërshtimet e tij lidhur me provat e akuzës, dhe kishte paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës, të cilën e kishte refuzuar gjyqtari i rastit Xheladin Osmani.

Por Mekaj në seancën e datës 23 tetor kishte deklaruar se ende nuk e kanë marrë vendimin e Gjykatës së Apelit për ankesën e mbrojtësit të tij avokat Besnik Berisha, lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes ndaj aktakuzës.