Foto: Kallxo.com

Dështon sërish seanca ndaj grupit të Ukë Rugovës

Seanca ndaj të dyshuarve për keqpërdorim me viza italiane, grup në të cilin është edhe Ukë Rugova, ka dështuar edhe një herë për shkak të mungesës së disa të dyshuarve.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Shumë seanca në këtë rast kanë dështuar për shkak të mungesës së të dyshuarve dhe njëjtë ndodhi edhe sot kur në seancë nuk u paraqitën pesë nga të akuzuarit.

Kur pritej të fillojë seanca, gjykata evidentoi mungesën e të akuzuarve Florijan Petani, Azem Koskoviku, Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Bekë Shaqiri.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor seancën e sotme e shtyu për datën 3 korrik.

https://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-i-uke-rugoves-per-biznesin-me-vizat-italiane/

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe 20 persona të tjerë, ndër ta edhe ish-ministri Astrit Haraqija.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Të gjitha raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.