Dështon Sërish Seanca e Kuvendit të Prishtinës

Ndonëse për dallim nga hera e kaluar opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës vendosi të mos e bllokonte seancën, mbledhja dështoi pasi që një asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në mes të saj propozoi futjen e një pike të re në rendin e ditës.

Seanca e sotme filloi me ankesa të këshilltarëve komunalë për shkak të agjendës së ngjeshur – 21 tema në rend të ditës.

Në fillim, opozita vendosi të mos e bllokonte seancën dhe paralajmëroi se do të abstenonte në tri pikat e rendit të ditës që kishin të bënin me planet rregulluese të lagjeve të kryeqytetit.

Propozim-vendimi për miratimin – lënie në dispozicion për diskutim publik të propozim-planit rregullues të hollësishëm të lagjes “Mati 2”; propozim-vendimi për miratimin e plotësimit dhe ndryshimit të Planit rregullues të lagjes “Sofalia”; propozim-vendimi për miratimin – lënie në dispozicion për diskutim publik të Propozim-planit rregullues të hollësishëm të lagjes “Kodra e Trimave 1”, ishin tri pikat të cilat u kundërshtuan nga asamblistët opozitarë.

Sikur edhe në mbledhjen e kaluar, i gjithë fokusi i deputetëve ishte në pikën 17 të rendit të ditës që kishte të bënte me Raportin përfundimtar buxhetor për vitin 2015.

Ata kërkuan që kjo pikë e rendit të ditës të kalojë në fillim të mbledhjes dhe me votimin e asamblistëve kjo pikë kaloi si pika e 3-të.

Gjithçka shkoi në rregull deri kur deputeti i Vetëvendosjes, Qëndron Kastrati, kërkoi që në rend të ditës të përfshihet edhe “zhbllokimi” i ndërmarrjeve publike.

Pikë kjo që ngjalli reagimin e opozitës, e cila theksoi se nuk ka bllokim të ndërmarrjeve publike për t’u zhbllokuar.

Lirak Çelaj, deputet i PDK-së, ishte kundër këtij propozimi sepse, sipas tij, vet pozita po e bën bllokimin e Kuvendit kur tema te rëndësishme propozon në mes të rendit të ditës dhe pa paralajmërime.

“Duke e pare se sa i ngjeshur është sot rendi i ditës, nuk duhet propozuar një pikë aq e rëndësishme. Kjo është një lojë për bllokimin e Kuvendit”, tha Çelaj.

Kundër kësaj pike që të vihet në rend të ditës ishte edhe Sami Hamiti deputet i LDK-së.

Kjo pikë megjithatë u hodh në votim me insistimin e VV-së, e që ishte shkak i largimit te deputetëve të PDK-së dhe LDK-së nga salla.

Kuvendi shkoi në pauzë për një orë, dhe kur u kthye mbledhja përfundoi për shkak se në sallë ishin vetëm 25 deputetë.

Gjatë kësaj mbledhjeje u arrit të kalohet vetëm një pikë e rendit të ditës, ajo e betimit të asamblistit të ri nga AKR-ja, Sami Borovci.

http://kallxo.com/ska-normalitet-ne-asamblene-e-prishtines-nderpritet-seanca