Dështon seanca për vrasjen e trefishtë në Prizren

Eshref Shemollari dhe Ejup Shemollari, babë e bir vazhdojnë betejën e tyre me drejtësinë, për vrasjen e trefishtë të ndodhur në Prizren në vitin 2015.

https://kallxo.com/ekskluzive-historia-e-konfliktit-qe-coi-te-vrasja-e-trefishte-ne-prizren/

Me datë 30 tetor, trupi gjykues bashkë me prokurorin dhe mbrojtësit, dhe të gjithë palët relevante, kishin dalë në vend të ngjarjes për rekonstruimin e vendit të ngjarjes.

Lidhur me këtë Instituti i Forenzikës Kriminalistike Kosovë, dhe ekspertët ishin në vend të ngjarjes, dhe është dashur të paraqesin raportin e tyre, lidhur me daljen në vend të ngjarjes.

Por deri në seancën e sotme kjo ekspertizë nuk i është paraqitur trupit gjykues, me çka i njëjti trup i përbërë nga kryetari Xheladin Omsani dhe Ajser Skenderi dhe Refki Piraj anëtarë, konstatuan se shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdojë.

Trupi gjykues vendosi që  shqyrtimi të shtyhet për një afat të pacaktuar, derisa të pranojnë raportin e ekspertizës nga Instituti i Forenzikës Kriminalistike.

Prokurori i çështjes Genc Nixha nuk e kundërshtoi një vendim të tillë. Po ashtu me këtë vendim nga trupi gjykues u pajtuan dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Mahmut Halimi dhe avokat Betim Shala.

Gjykata Themelore Prizren në tetor të vitit 2017 kishte shpallur aktgjykim dënues ashtu që i akuzuari  kryesor Eshref Shemollari ishte dënuar me 24 vjet burg në akuzat për vrasje të rëndë. Ndërsa djali i tij Ejup Shemollari u dënua me 4 vjet e gjysmë burg në akuzën për ndihmë të dhënë kryesit pas kryerjes së veprës penale.

https://kallxo.com/28-5-vjet-burg-per-vrasjen-e-trefishte-ne-prizren/

Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, për qartësuar rrethanat lidhur me vendin e ngjarjes, dhe për të zgjidhur dilemat lidhur me deklarimet e disa dëshmitarëve.

Rrjedhën e këtij procesi gjyqësor KALLXO.com e ndoqi vazhdimisht.