Dështon seanca ndaj të akuzuarit për ryshfet

Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahej sot ndaj të akuzuarve Ismet Tahiri dhe Sylë Fejza ka dështuar të mbahet.

Arsye e mos mbajtjes ishte mungesa e të pandehurit Sylë Fejza, për të cilin në gjykatë babai i tij Nimon Fejza ka thënë se i njëjti ishte i sëmurë dhe për këtë arsye nuk mund të prezantonte.

Në gjykatë të pranishëm ishin i pandehuri tjetër Ismet Tahiri, si dhe prokurori i rastit Naim Beka.

Pas kësaj gjykatësi i rastit Radoslav Markoviq ka njoftuar palët prezente se seanca e sotme për shkak se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e saj do të shtyhet për datën 14 Maj.

Ndryshe Ismet Tahiri nga Prokuroria akuzohet për veprën penale marrje ryshfeti.

Sipas akuzës Ismet Tahiri këtë vepër e kishte kryer gjatë muajve prill dhe maj të viti 2016 në fshatin Zabërxhë të Mitrovicës, ku ka pranuar përfitime-para për vete nga personi Nimon Fejza.

Tahiri ishte person zyrtar pylltar dhe sipas akuzës ai nuk ka vepruar në përputhshmëri me detyrat e tij duke lejuar që personi Nimon Fejza pa lejen përkatëse të prejë dru në vendin e quajtur “Tek kërshat e këqij“ fshati Zabërxhë, më qëllim që të njejta pastaj t`i transportoj për t`i shitur në Mitrovicë.

Ndërsa Nimon Fejza pas çdo transporti të bërë me dru t`i dorëzoj, të pandehurit Tahiri shumën prej 50 euro.

Këtë shumë i pandehuri e kishte pranuar së paku në katër raste, dy herë në fshatin Melenicë dhe dy herë të tjera në Mitrovicë. Ndërsa shuma e parave të kërkuara sipas akuzës rezulton të jetë 200 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti.

Përveq kësaj i pandehuri Ismet Tahiri akuzohet edhe për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

Kjo për shkak se ai si zyrtar në cilësinë e pylltarit ka lejuar që të prehet pylli në vendin e quajtur “Te Kërrshat e Këqinj“ që është nën mbikqyrje të APK-së.

Ndërsa në këtë rast Nimon Fejza kishte arritur që së paku në katër raste drutë e prera në vendin e lartcekur t`i bartë me kamion dhe t`i shesë në Mitrovicë në vlerë prej 500 euro.

I akuzuari Tahiri përveç që ka sjellur dobi materiale vetvetes dhe personit Nimon Fejza, në të njejtën kohë i ka shaktuar dëme Agjensionit Pyjor të Kosovës.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Sylë Fejza, për shkak të mos prezencës së të cilit është shtyrë seanca e sotme.

Fejza akuzohet së në qershor të vitit 2016, gjithashtu në fshatin Zabërxhë të Mitrovicës me kanosje serioze ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas akuzës ai kishte kanosur pylltarët Ismet Tahiri (tashmë i pandehur) dhe Ramadan Salihu të cilët ishin në kryerjen e detyrës zyrtare në kuadër të autorizimeve të tyre.

I pandehuri Fejza me automjetin ‘Xhip’ me një motokultivator kishte dal në rrugë dhe ua kishte bllokuar rrugën ku i njëjti zbret nga motokultivatori dhe të njejtën kohë duke e mbajtur dorën në xhep i drejtohet, zyrtarit Ismet Tahirit me fjalët “ku je ti oo q**, kujna ja bllokon rrugën kom me të bo shosh, kam me të vra, kam me ta pre kryet“, i vërsulet pylltarit Ismet Tahirit.

Më këtë Fejza akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare“.