Gjykimi ndaj Agron Gumnishta dhe Besart Ramosaj - 15 janar 2019 - KALLXO

Dështon seanca ndaj të akuzuarve Gumnishta e Ramosaj për përvetësimin e mbi 1 mijë eurove

Në gjykatën e Mitrovicës ishte paraparë që sot të filloj seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të pandehurve Agron Gumnishta dhe Besart Ramosaj.

Dy të lartcekurit po akuzohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se kanë përvetësuar për vetën e tyre shumën e parave në vlerë prej 1.141.28 euro.

Sipas akuzës Gumnishta dhe Ramosaj si persona zyrtarë, agjent tregtar pranë ‘Unioni SHPK’ në Vushtrri kanë marr para me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete.

Me këtë ata po akuzohen se i kanë shkaktuar dëm ‘Unioni SHPK’-së në Vushtrri me pronar të dëmtuarin Xhabir Kajtazi.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kur bizneset e ndryshme i kishin dërguar paratë në shuma të ndryshme, si borxh te tani e dëmtuara ‘Unioni SHPK’- Vushtrri, këto shuma të cilat gjithsejtë janë në vlerë prej 1.141.28 euro është dashur t`i dorëzojnë në arkën e të dëmtuarës mirëpo një gjë të tillë nuk e kanë bërë, dhe paratë i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Kurse seanca e shqyrtimit fillestarë e paraparë të mbahej sot ka dështuar.

Kjo për arsye se në gjykatë nuk ka qenë prezent i akuzuari Besart Ramosaj.

Ramosaj ishte ftuar nga gjykata në mënyre të rregullt, por gjykatësi Tomislav Petroviq ka deklaruar se nga flet-kthesa kishte dalë që adresa e tij është e panjohur. Pasi që mori edhe mendimin e prokurorit Ismet Ujkani, i cili tha se pasi vepra penale dhe provat janë të njëjta, e po ashtu vepra është kryer në bashkëkryerje, prezenca e Besart Ramosajt është e nevojshme.

Gjykatësi i rastit Tomislav Petroviq, mori aktvendim për shtyrjen e seancës së shqyrtimit fillestar për datën 5 shkurt 2019.