Milaim Zeka - Arkiv

Dështon seanca ndaj Milaim Zekës për mashtrim dhe pastrim parash

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga NISMA Social Demokrate, Milaim Zeka, nuk është sjellë në Gjykatë në shqyrtimin fillestar i cili pritej të mbahej sot.

Në këtë proces gjyqësor Milaim Zeka akuzohet për mashtrim e pastrim parash.

Së bashku me Zekën në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka qenë e paraparë që të mbahej shqyrtimi fillestar në procesin gjyqësor ndaj Milaim Zekës, Ilir Krasniqit e Edmond Kërliut.

Arsyeja e dështimit të mbajtjes së shqyrtimit fillestar ishte se i akuzuari Milaim Zeka nuk ishte sjellë në Gjykatë.

Milaim Zeka momentalisht ndodhet në paraburgim nën dyshimin për kanosje të prokurorit Afrim Shefkiu.

https://kallxo.com/paraburgim-per-milaim-zeken/

Arsyeja e mungesës së të akuzuarit Milaim Zeka u tha të jetë për shkak se Gjykata nuk ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në Gjykatë.

“Mungon Milaim Zeka për të cilin gjykata me rastin e caktimit të këtij shqyrtimi e ka njoftuar me ftesë të rregullt dhe e njëjta është pranuar nga i pandehuri Zeka, mirëpo tani pasi që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit për një çështje tjetër penale, Gjykata nuk ka mundur të dërgoje urdhëresën për sjelljen e tij në seancën e sotme. Por prezent është mbrojtësi i tij Florent Latifaj”, tha Gjyqtari Mustafë Tahiri.

Ndryshe nga Zeka, në sallë të Gjykatës ishin të pranishëm dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga mbrojtësit e tyre.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor seanca e sotme u shty për një datë tjetër.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale: mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjension punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-deputetit-milaim-zeka-per-mashtrim-e-pastrim-te-parave/

Të pandehurit prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangie nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

EKSKLUZIVE: Dosja e ATK-së që pretendon shmangien tatimore nga Milaim Zeka