Gjykimi i ish-zyrtarëve të akreditimit | Foto: KALLXO.com

Dështon seanca ndaj ish-zyrtarëve të Akreditimit

Seanca gjyqësore në rastin e ish-zyrtareve të akreditimit, Basri Muja e Ferdije Zhushi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, si dhe Armend Mujës i akuzuar për marrje të ryshfetit nuk është mbajtur për shkak të grevës e cila ka filluar nga punëtoret e administratës së Gjykatave dhe Prokurorive.

Kjo seancë  ka qenë e paraparë që të mbahej sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa, Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza. Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

KALLXO.com vazhdimisht ka shkruar për këtë proces gjyqësor.

https://kallxo.com/?…

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme janë shtyrë edhe shumë seanca të tjera gjyqësore, në mesin e të cilave edhe gjykimi ndaj ish-kryetarit të komunës së Lipjanit Shukri Bujës, rast ky i shënjestruar për liberalizim të vizave.

https://kallxo.com/greva-pamundeson-mbajtjen-e-seances-ndaj-shukri-bujes/

Kërkesë e grevistëve është rritja e pagave për 100%, përreth 2 mijë punëtorë të administratës dhe rregullimi i statusit të tyre.

Grevistët kanë thënë se janë të vendosur që ta vazhdojnë grevën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

https://kallxo.com/bllokohet-puna-e-gjyqesorit-punetoret-e-gjykatave-dhe-prokurorive-ne-greve/