Gjykimi ndaj grupit të akuzuar per krim te organizuar, shmangie nga tarifat doganore, etj. 06.06.2019

Dështon seanca ndaj grupit të akuzuar për kontrabandë të stimuluesve seksualë e mallrave të tjera

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, shmangie nga tarifat doganore e tregti të ndaluar ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Mitrovicës.

Arsye e dështimit  të kësaj seancës ku akuzohen edhe tre doganierë ishte mungesa e të pandehurit Blerim Avdylaj.

Ky është njeri nga rastet e shënjestruar për liberalizimin e vizave që gjendet në gjykatën e Mitrovicës.

Kryetari i trupit gjykues Burim Ademi ka njoftuar palët se ka arritur një kërkes nga avokati Skender Musa i cili ka kërkuar nga gjykata që seancat e datë 5 dhe 7 qershor 2019 të shtyhet për një datë tjetër.

Këtë kerkes avokati sipas gjykatës e kishte bërë me arsyetimin se i mbrojturi i tij, i pandehuri Blerim Avdylaj ka të hospitalizuar bashkshorten.

“Kësaj kërkese nuk iu është bashkangjitur ndonjë dokumentacion mbështetës”, ka shtuar gjykatësi Ademi.

Në këto rrethana trupi gjykues në mungesë të të pandehurit Blerim Avdylaj ka konstatuar se nuk ka kushte për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, andaj me aktvendim ka shtyrë seancat e shqyrtimit gjyqësor të parapara të mbahen sot me gjashtë dhe shtatë qershor.

Gjykata më pas i ka njoftuar dëshmitarët Admir Sjediu dhe Besim Lushta që seanca nuk do të mbahet dhe për pasoj ata nuk do të mund të procedohen sipas planifikimit, me ç’rast edhe i ka lejuar që të largohen.

Në gjykatore ka prezantuar edhe përfaqsuesi i të dëmtuarës – Doganës së Kosovës, Xhafer Krasniqi, i cili poashtu i ka deponuar gjykatës autorizimin me shkrim dhe kërkesën pasurore juridike dhe precizimin e shumave në raport me të pandehurit dhe poashtu shumën totale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit nga janari 2015 deri më 22 mars 2016 me dashje, me dijeni, në mënyrë të qëllimshme dhe në grup të organizuar kanë kryer vepra penale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet.

Gjithashtu, të akuzuarit në mënyrë të sofistikuar kishin arritur të organizojnë tri skema të punës apo më saktë: import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandimit të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë të llojit “Kamagra” dhe “Viagra”.

Sipas Prokurorisë Speciale, në këtë mënyrë Argëtim Ismaili, Armend Smaili, Arben Ismaili, Shkumbim Ismaili, Afrim Rrustolli, Besim Biberoviq, Mursel Çalakoviq, Bahri Rexhepi, Liridon Borovci, Haki Isufi, Radisav Mutavxhiq, Milan Stojanoviq, Mirko Iliq, Ramush Salihu, Zekri Salihu, Shkëlzen Salihu, Ismet Zeqiri, Blerim Avdylaj, Kujtim Avdylaj, Nexhmedin Bajrami, Dukagjin Kollçaku, Ardian Rraci, Ahmet Syla, Ruzhi Kolica, Afrim Hoti, Imri Bajrami, Alban Islami, Nimon Zogaj, Nezir Zogaj, Afrim Xhaçkaj, Rinor Rrustolli, Arben Rrustolli, Lulzim Kastrati, Gazi Tarashaj, Artan Kurpalaj, Florim Krasniqi, Reshat Kamberaj, Endrit Kllokoqi, Ramadan Mehmeti, Hasan Rexhepbeqaj, Zenel Isufi dhe Xhemail Islami akuzohen se në grup të organizuar duke u shmangur nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore  apo tarifave të tjera me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave të llojit cigare, produkte farmaceutike dhe stimuluesve seksualë që rezultojnë me shmangie të përgjithshme doganore në shumë prej 1.666.842.07 euro dhe njëkohësisht duke iu shmangur obligimeve tatimore për mallrat e lartcekura dhe mosdeklarimit të saktë të pasqyrave financiare që rezultojnë në shumën prej 2,430,620.16 e që njëkohësisht është përfitim i kundërligjshëm gjatë periudhës së aktiviteti kriminal të këtyre të pandehurve të lartcekur.

Në këtë grup të akuzuar janë edhe zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Jarinjes Mensur Bekteshi, Vladislav Trajkoviq dhe Ramadan Bajra, që në këtë proces gjyqësor akuzohen për keqpërdorim detyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë këta e kanë ditur që janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, për çka mund të dënohen me burgim mbi katër vite, mirëpo prapë kanë realizuar dëshirën e tyre me qëllim të realizimit të dobisë financiare, apo dobisë tjetër pasurore.

Në 19 pika të aktakuzës është përshkruar veç e veç veprimi i secilit prej të akuzuarve.

Bashkë me këtë gruop të akuzuar janë katër të pandehurit tjerë, Imri Bajrami, Nimon Zogaj, Mirko Iliq dhe Mursel Calakoviq, për të cilët gjykatësi Burim Ademi ka veçuar procedurën në seancat e mëhershme pas konstatimit se të njetit nuk gjenden në Kosovë, ndërsa për të akuzuarin tjetër, Xhemajl Islami, është veçuar procedura pasi që i njëjti ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje në seancën e mbajtur në nëtor të vitit 2018.