I akuzuari Granit Elshani në Gjykatën e Pejës - Foto: KALLXO.com

Dështon seanca ndaj Granit Elshanit, nuk kuptohen burgu dhe Gjykata

Seanca e gjykimit të Granit Elshanit në lidhje me akuzat për sulmin dhe vrasjen në diskotekën City Club në Pejë nuk u mbajt sot.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance ishte mosmarrëveshja në mes të burgut të Lipjanit dhe Gjykatës së Pejës.

Gjykatësi Sylë Lokaj, njoftoi se ka kërkuar nga burgu me kohë që ta sjellin Granit Elshanin në Gjykatë mirëpo i njëjti nuk është sjellë sipas urdhëresës.

“Edhe pse Gjykata me kohë ka kërkuar nga burgu në Lipjan prezencën e të akuzuarit, ata e kanë njoftuar gjykatën se nuk kanë evidencë se i akuzuari është ftuar për seancë”. tha gjykatësi

Granit Elshani po gjykohet për ngjarjen tragjike në diskotekën City Club në Pejë, e cila kishte ndodhur natën e dytë të vitit të ri 2010.

Atë natë shumë pejanë kishin zgjedhur diskotekën “City Club” për ta festuar vitin e ri. Në mesin e tyre ishte edhe Valdet Kelmendi, i njohur si “Lara”.

Festa e pejanëve u ishte kthyer në tragjedi pasi brenda asaj diskoteke kishte hyrë edhe një person i armatosur, i cili kishte filluar të shtinte.

Cak i këtyre të shtënave sipas Prokurorisë ishte Valdet Kelmendi, pjesëtari i familjes Kelmendi e cila ka qenë në hasmëri me familjen Elshani që nga viti 2000.

Atë natë Valdet Kelmendi kishte mbetur i plagosur, të plagosur kishin mbetur edhe Arta Bardhi dhe polici Hasan Buqaj, ndërsa nga të shtënat vdekjen e kishte gjetur Besart Shabi.

Prokuroria pretendon se personi i cili festën e natës së dytë të vitit të ri e ktheu në tragjedi ishte Granit Elshani.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.

Rigjykimi ndaj Granit Elshanit pritet të fillojë nesër në Gjykatën e Pejës.

Historia e konfliktit Elshani – Kelmendi që la 23 të vrarë

Sipas Prokurorisë Speciale në konfliktin mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit.

Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Sulmi i 30-të besohet se ndodhi një natë para vitit të ri 2019 tek parku i vogël i qytetit, ku Xhevdet Kelmendi ishte duke lëvizur me veturë së bashku me shokun e tij Besim Lajqin.

Nga ky sulm mbeti i plagosur Besim Lajqi, ndërsa prokurorja tha se cak i sulmit ishte Xhevdet Kelmendi.

“Unë po supozoj që ai ka qenë cak i sulmit. Ende nuk kam të dhëna te sakta por supozimet tona çojnë në atë drejtim”, kishte thënë prokurorja Sahide Gashi.

Besim Lajqi është i plagosuri i 39-të i këtij konflikti, pasi para plagosjes së tij sipas Prokurorit të EULEX, kanë qenë të plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

 

 

https://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/