Rasti 'Toka' - 16.05.2019

Dështon seanca ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin 'Toka'

Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Toka”.

Shkak për dështimin e seancës që ishte paraparë të mbahej sot ka qenë mungesa e të akuzuarit Ndue Palushi.

Mbrojtësi i tij Halim Koloqi, tha se klienti i tij nw seancën e sotme mungon për shkak të problemeve shëndetësore të një familjari të tij.

Kurse kryetari i trupit gjykues deklaroi se ndaj të akuzuarit Palushi do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 qershor.

https://kallxo.com/intervistimi-i-sami-lushtakut-ne-hage-e-deshton-seancen-ndaj-azem-syles-e-te-tjereve-ne-rastin-toka/

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.