Dështon seanca ndaj avokatit të akuzuar për mashtrim të klientit

Seanca gjyqësore ndaj avokatit Haxhi Çekaj, i cili po akuzohet për mashtrim, ka dështuar të mbahet sot.

Seanca nuk u mbajt për shkak se në sallë të Gjykatës nuk u paraqit dëshmitari i propozuar nga ana e mbrojtjes.

Arsyeja e mungesës së dëshmitarit Jashar Lokaj, u tha të jetë gjendja shëndetësore e nënës së tij.

“Mungon dëshmitari Jashar Lokaj,  i cili ka dorëzuar në gjykatë një parashtresë, me datën 1 korrik 2019, e cila është protokolluar në gjykatë me datën 3 korrik. Por e njëjta në zyrën e gjyqtares ka arrit sot në ora 9. I njëjti ka thënë se për shkaqe shëndetësore të nënës së tij nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë. Dhe ka lutur gjykatën që për shkak të përkujdesjes ndaj nënës, seanca të caktohet një ditë tjetër në orët  e pas ditës”, tha gjykatësja Valbona Selimaj.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Çekaj, avokati Besnik Berisha tha se për seancën e radhës të sigurohet ky dëshmitar sepse sipas tij mos dëgjimi i këtij dëshmitari, për mbrojtjen do jetë një hendikep.

Ndërsa prokurori special Sylë Hoxha, tha se i vjen keq që ky rast u prolongu për gjendjen shëndetësore të vetë Çekajt dhe mungesës së dëshmitarit. Dhe nga gjykata kërkoi që ky dëshmitar mos të dëgjohet.

“Unë prapë kisha kërku nëse ka vend që të tërhiqet ky propozim që të mund të vazhdohet procedura pa dëgjimin e këtij dëshmitari, vetëm e vetëm të vazhdohet ky shqyrtim gjyqësorë. Në të kundërtën kisha me kërku nga mbrojtja se nëse duhet të ftohet ky dëshmitarë pasi është dëshmitar i mbrojtjes, le të bëjë çmos ta sigurojë këtë dëshmitarë”, shtoi Syla.

Por përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Durim Osmani tha se sa i përket propozimit për dëgjimin e dëshmitarit, ia le në dorë gjykatës të vendos.

Kurse trupi gjykues aprovoi propozimin për dëgjimin e dëshmitarit, dhe seancën e radhës e caktoi parë datën 24 korrik.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Valbona Musliu Selimaj, Naime Krasniqi Jashanica si dhe Vesel Ismajli, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Sylë Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

 

Gjykatësja sëmuret, dështon seanca ndaj avokatit Çekaj

.