Gjykimi i policëve | Foto: KALLXO.com

Dështon Seanca Fillestare e Gjykimit të Policëve

Ka dështuar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 35 policëve të trafikut të regjionit jug dhe veri në Mitrovicë.

Kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti në seancën e cila u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Rexhep Mitrovica” ka njoftuar se nuk janë plotësuar kushtet e mbajtjes së seancës gjyqësore.

“Nuk ka kushte për vazhdimin e seancës gjyqësore, për shkak të mungesës së një të pandehuri, i cili e arsyetoi mungesën e tij për shkak se është në spital”, tha Mehmeti.

Në seancë ishin të pranishëm 34 policët tjerë të akuzuar për marrje ryshfeti.

Ai kërkoi veçim procedure për policët e stacionit të trafikut në veri, nga të akuzuarit e stacionit në jug, duke arsyetuar kërkesën me fjalët për efikasitet të lëndës.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Zejnije Kela u pajtua me propozimin për veçim të procedurës, ndërsa disa nga avokatët e kundërshtuan këtë propozim.

Gjykata do të vendosë më vonë në lidhje me kërkesën e kryetarit të trupit gjykues Avni Mehmeti për veçim procedure.

Senca e radhës do të caktohet, pai gjykata ta mësojë gjendjen shëndetësore të policit që mungoi.

35 policët u arrestuan më 19 dhjetor të vitit të kaluar në një aksion të Inspektoratit Policor gjatë të cilit në pranga përfunduan 59 policë.

http://kallxo.com/59-zyrtare-policore-te-arrestuar/

KALLXO.com kishte shkruar për daljen e 35 policëve para gjykatës për caktim të masës së sigurisë ndaj tyre.

http://kallxo.com/dalin-para-gjykates-policet-e-arrestuar/

KALLXO.com kishte siguruar kërkesën e prokurores Zejnije Kela për caktim të paraburgimit ndaj 35 policëve në të cilën bëhej e ditur se sipas pretendimeve të prokurorisë policët ryshfetin e pranonin edhe në dinarë serbë.

http://kallxo.com/policet-e-arrestuar-pranonin-ryshfet-ne-dinare-serbe/