Dështon seanca e parë ndaj inspektorit të Prizrenit, i akuzuar për mosrrënimin e shtëpizave të ‘Crazy Love’

Inspektori i Ndërtimtarisë, në komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, i cili kryen funksionin e tij zyrtar në Drejtorinë e Inspektorateve në Prizren, po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare si inspektor, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie pasurore për vete, ose për personin tjetër.

I njëjti po akuzohet se përkundër që ka lëshuar njoftim në vitin 2014, për ekzekutim të dhunshëm, rrënim të kompleksit hotelier – shtëpizave ‘’Crazy Love‘’ që gjenden në rrugën Prizren – Nashec,  Bashkim Krasniqi në cilësi të Inspektorit nuk e ka  bërë ekzekutimin edhe pse ka qenë i detyruar.

Seanca e parë gjyqësore pranë Gjykatës së Prizrenit, ka dështuar të mbahet, pasi që i akuzuari nuk ishte i pajisur as me aktakuzën por as nuk kishte pranuar asnjë provë që është e propozuar në aktakuzë.

Prokurori Metush Biraj që përfaqëson aktakuzën, tha se nga ana e prokurorisë është tentuar dorëzimi i aktakuzës dhe provave në adresë të të akuzuarit, por askush nuk i ka pranuar ato.

Gjithashtu për arsye se i akuzuari Krasniqi, nuk kishte të angazhuar avokat, atëherë gjyqtarja e astit Ajser Skenderi, mori vendim për të shtyrë senacën fillestare, për datë 25 prill, dhe deri në atë kohë i akuzuari do të pajiset me provat e aktakuzës, dhe do të angazhojë avokat mbrojtës.

Kallxo.com në fund të muajit Mars  ka raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj inspektorit në Prizren.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit, thuhet se që nga viti 2014 e deri në këtë periudhë objekti në fjalë nuk posedon leje ndërtimi, pra i akuzuari Bashkim Krasniqi që nga ajo kohë kur ka lëshuar njoftim për ekzekutim të rrënimit në vitin 2014, e deri më sot nuk ka marrë asnjë masë për zbatimin e procedurave që i takojnë  kur një objekt nuk është i pajisur me leje ndërtimi.

Prokuroria është e bindur që i akuzuari Bashkim Krasniqi ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe se aktakuza është e bazuar në ligj, dhe ka kërkuar nga gjykata që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe pas administrimit të provave, i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën për të cilën akuzhet.