Foto: Kallxo.com

Dështon seanca, e akuzuara për përvetësim të ratave të kredive shkon në pushime në Zvicër

Merita Shehu, ish-arkëtarja e një organizate mikrofinanciare, e akuzuar për vepra që ndërlidhen me korrupsion, pritej të dilte sot para gjykatës në Gjakovë.

Ajo akuzohet, mes tjerash, edhe për përvetësim të ratave të kredive të klientëve.

Por seanca e sotme e planifikuar për dëgjimin e dëshmitarëve është shtyrë me arsyetimin se e akuzuara Merita Shehu, ish-arkëtare e Finca-s, gjendet në Zvicër për pushime.

Arsyeja tjetër e shtyrjes së kësaj seance ishte se mbrojtësi i të akuzuares Shehu, avokati Esat Gutaj, në parashtresën e tij drejtuar gjykatës, kishte thënë që është i zënë në një seancë në krime të rënda në Prizren.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari i trupit Shaqir Zika, bashkë me anëtarët Gezim Pozhegu dhe Myfera Hoxha, caktuan datën 6 maj për mbajtjen e seancës në të cilën është caktuar të dëshmojë eksperti financiar Ali Shujaku, bashkë me dëshmitarë të tjerë.

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Merita Shehut, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Gjyqtari Shaqir Zika, aktakuzën e Prokurorisë e kishte vlerësuar të bazuar edhe përkundër faktit që mbrojtësi i të akuzuares Shehu, avokati Esat Gutaj kishte pretenduar që aktakuza nuk është e mbështetshme në prova materiale.

Në seancën e mbajtur në muajin Janar, e akuzuara Merita Shehu kishte kërkuar marrëveshje me Prokurorinë.

https://kallxo.com/ish-arketarja-e-finca-s-kerkon-marreveshje-me-prokurorine/

Ndërkaq në seancën e parë Merita Shehu, nuk e kishte pranuar fajësinë.

https://kallxo.com/punetorja-e-akuzuar-e-finca-s-nuk-e-pranon-se-i-pervetesoi-mbi-23-mije/

Ndërsa i autorizuari i Finca-s, Auberon Kelmendi, kishte thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se si institucion mikro-financiar kërkojnë kompensim dëmi.

“E akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Institucionit Mikro-financiar Finca, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojnë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro”, kishte thënë Kelmendi.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin janar e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtarë në Institucionin Mikro-financiar Finca, në Degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marrë shumën e të hollave prej 14.200 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 977.50 euro.