Ramush Haradinaj-Gazmend Muhaxheri

Dështon përballja Haradinaj - Muhaxheri

Është shtyrë procesi gjyqësor në mes të Kryeministrit Haradinaj dhe Kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri me kërkesën e përfaqësuesit të të parit të Pejës, avokatit Besnik Berisha.

Ai e kishte njoftuar gjykatën përmes parashtresës që kjo seancë të shtyhet për ndonjë datë tjetër, me ç ‘rast Gjykata e caktojë datën 30 nëntor për vazhdimin e seancës .

Kryeministri Haradinaj ka paditur Muhaxherin pas akuzave që ky i fundit adresoi vite më parë ndaj aktualisht numrit një të Qeverisë, se gjoja po bën para me benzinë dhe lojëra të fatit dhe për shkak të deklaratave “fyese dhe shpifëse” në gazetën austriake “Der Standard”.

Si kompensim të dëmit material, kryeministri përmes padisë kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim nga kreu i Komunës së Pejës.

Në seancën e kaluar përfaqësuesi i kryetarit Muhaxheri, avokati Besnik Berisha kishte thënë se edhe nëse i pari i Pejës do të kishte folur në atë mënyrë ato fjalë nuk do të ishin risi pasi ishin thënë në artikullin e NATO-s.

“S’do ta dëmtonin aspak më shumë reputacionin e kryeministrit sesa të mund ta ketë dëmtuar artikulli me burim të NATO-s, i publikuar në maj të vitit 2014 në ‘Kohën Ditore’ për një javë rresht dhe thëniet në artikullin e ‘Der Standard’ nuk përbëjnë ndonjë risi“, kishte thënë avokati Berisha.

Procesi gjyqësor i tyre është përballur me dështime të shumta.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com, ka raportuar në vazhdimësi.

Greva shtyn përballjen e Ramush Haradinajt me Gazmend Muhaxherin në gjykatë