Pamje nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa - Foto: KALLXO.com

Dështon për Herë të Pestë Diskutimi për Buxhetin 2017

Diskutimi për Buxhetin e vitit të ardhshëm nga Komisioni për Buxhet dhe Financa u shty për mbledhjen e ardhshme me arsyetimin se deputetët e PDK-së, të cilët munguan në mbledhjen e sotme, ende nuk e kanë shqyrtuar.

Kështu tha kryesuesi i Komisionit, Naser Osmani, para se të fillonte mbledhja.

“Diskutimin e Buxhetit për vitin 2017 e kemi hequr nga pika e rendit të ditës për arsye se nuk është shqyrtuar nga partnerët tanë të koalicionit. Me të vërtet më vjen keq sepse është hera e pestë që po e shtyjmë por mbledhjen mund ta vazhdojmë pasi kemi kuorum, ku do t’i shqyrtojmë disa pika tjera siç është aprovimi për avanset për organizimin e ditëve të kulturës në diasporë – kërkesë nga Ministria e Diasporës”, tha Osmani.

Anëtari i këtij Komisioni nga radhët e NISMA-s, Enver Hoti, tha se nuk e sheh të arsyeshme të vazhdojë pjesëmarrjen në mbledhje “përderisa i gjithë shteti ka zbarkuar në Drenas për fushatë”.

“Po shifet që një pjesë e madhe e partive në pushtet nuk janë të interesuar jo vetëm për Buxhetin por as për funksionimin normal të këtij Komisioni kaq të rëndësishëm. Sigurisht edhe një pjesë e tyre janë në fushatë në Drenas, se atje ka zbarku i gjithë shteti, që nga kryetari i Kuvendit, Presidenti, ministra e deputetë, kështu që ne vetëm mujna me ju thanë juve: ditën e mirë, sepse ne e shohim të paarsyeshme me qëndru këtu derisa ata janë nëpër fushata”, tha deputeti Hoti.

Për mosdiskutimin e Buxhetit pati vërejtje edhe deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, e cila theksoi se Buxheti duhet të shkojë në Kuvend në lexim të parë sepse nuk mund të ndryshohet asgjë në fazën e diskutimit.

Edhe ajo tha se nëse sot nuk diskutohet Buxheti nuk është e interesuar ta vazhdojë mbledhjen.

Njëjtë veproi edhe anëtari tjetër i këtij Komisioni, deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj.

Kështu që, pas largimit të tre anëtarëve të opozitës, mbledhja e Komisionit dështoi.