Mbledhja e KPK-se - 31.10.2018 foto KALLXO

Dështon konkursi për anëtar të KPK-së nga shoqëria civile

Konkursi për anëtarë të KPK-së nga shoqëria civile ka dështuar pasi që nga tre kandidatët që kanë aplikuar vetëm dy i kanë plotësuar kriteret, ndërsa si kërkesë ligjore është që të paktën të jenë 3 kandidatë. Andaj, konkursi nuk mund të vazhdoj dhe anulohet.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Konkursi ishte i hapur nga 17 shtator deri 1 tetor. Tre kandidatë nga shoqërisë civile kanë aplikuar për përfaqësimin e shoqërisë civile në KPK.

Dy kandidatët të cilët i kanë plotësuar kushtet sipas Sekretariatit të KPK-së, janë Afrim Hoxha, Gani Zuka, kurse Fidan Mustafa nuk i ka plotësuar kriteret dhe si rrjedhojë konkursi është anuluar.

Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Koordinatori Kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike raportoi për periudhën prill-qershor 2018.

Koordinatori Shqipdon Fazliu para anëtarëve të Këshillit tha se ka një trend të disproporcionit në mes të pasurive të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara.

“Po vazhdon një trend disproporcioni në mes të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara dhe ky disproporcion po vazhdon të jetë shumë i lartë. ( sekuestrimi është i përkohshëm, konfiskimi është i përhershëm pas vendimit të plotfuqishëm gjyqësor)”, tha Fazliu.

Fazliu tha se në 5 vjetët e fundit ka pasur mbi 150 milionë euro pasuri të sekuestruara, ndërsa vetëm 3 milionë të konfiskuara.

Çështja e konfiskimit të ulët të pasurisë sidomos në rastet e korrupsionit është një nga gjetjet edhe të raportit të monitorimit të gjykatave për vitin 2017 nga BIRN.

RAPORTIN MUND TA GJENI DUKE KLIKUAR NË LINK.