Dështon Komisioni, shkak mungesa e deputetëve

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal për shkak të mungesës së kuorumit.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin vetëm tre deputetë, kryetarja Sala Berisha – Shala (PDK), Veton Berisha (Nisma Socialdemokrate) dhe Muharrem Nitaj (AAK).

Kryetarja e Komisionit, Sala Berisha – Shala tha se deputet e tjerë janë duke munguar me arsye.

Berisha – Shala u shpreh se disa prej deputetëve janë udhëtim zyrtar e disa të tjerë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit që është duke u mbajtur për situatën në Telekomit të Kosovës.

“Është thirrë seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, disa janë në udhëtim zyrtar, disa në seancë, nuk mundem me planifiku sa zgjatë seanca. Pa pas kuorum nuk mund ta fillojmë mbledhjen. Do mundohem brenda javës ka mundësi me iu thirrë, sidoqoftë rrini në gjendje gatishmërie”, ka thënë Berisha – Shala.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të cilët kishin ardhur për pikën e tretë të rendit të ditës.

Në pikën e tretë të rendit të ditës ishte paraparë shqyrtimi i raportit vjetor të KPMM-së për vitin 2018.

Poashtu të pranishëm në mbledhje ishin edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që ishin ftuar nga Komisioni, në lidhje me pikën e katërt të rendit të ditës.

Në pikën e katërt të rendit të ditës ishte paraparë të shqyrtohej raporti i performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2017.

Gjithashtu në këtë mbledhje ishte paraparë që të votohej vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 22 janar 2019, për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Mbledhja e Komisionit është shtyrë për një datë të pacaktuar.