Arkiv - Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Dëshmorët Mund të Shtohen

Qeveria në mbledhjen e saj vendosi sot që të riaktualizojë komisionin qeveritar për aplikacionet e statusit të dëshmorit të kombit që kanë mbetur të pashqyrtuara.

Kërkesa për riaktualizimin e këtij komisioni qeverisë i kishte shkuar nga Presidenti Hashim Thaçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i propozoi kabinetit qeveritar që ta miratojë kërkesën e Presidentit.

“Zyra e Kryeministrit ka marrë kërkesë nga Presidenti në nëntor të këtij viti. Supozohet që të jenë edhe edhe 100 aplikacione ende të pashqyrtuara. Komisioni të riaktualizohet por vetëm për këtë çështje dhe deri më datën 23 dhjetor të përfundojë kjo çështje,” tha Kuçi.

Riaktualizimi i komisionit erdhi në kohën kur qeveria ka nisur procedurat për ndryshimin e Ligjit për veteranët, pasi numri i atyre që marrin pensione është 28 mijë e 31 persona, ndërsa ekzekutivi po ka vështirësi t’i sigurojë pagat e tyre.

http://kallxo.com/iniciohet-ndryshimi-ligjit-per-veteranet/

Shpenzimet për veteranët kanë shqetësuar edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, përfaqësues të të cilit kanë thënë se Kosova nuk mund të përballojë më shumë se 100 milionë euro  harxhime për pensionet e veteranëve në vit.

http://kallxo.com/shpenzimet-per-veteranet-shqetesojne-fmn-ne/

Qeveria i dha 20 mijë euro Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP) për shpenzimet e këtij institucioni për pjesëmarrje në dialogun e Brukselit në lidhje me marrëveshjen e tekomunikacionit.

Propozimin që këto mjete t’i ndahen ARKEP-it e paraqiti ministri i Financave Avdullah Hoti.

“Këto mjete janë për mallra dhe shërbime, ka të bëjë vetëm me shpenzimet e agjencisë, me udhëtimet në Bruksel e të tjera dhe ata tash janë zero (nuk kanë para). Domethënë ka të bëjë veç me shpenzimet,” tha Hoti.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi propozoi që për marrëveshjen e arritur rreth kodit telefonik të Kosovës më 13 nëntor, të njoftohet kabineti qeveritar.

“Mendoj që ka nevojë që kjo marrëveshje të bihet në qeveri dhe te njoftohen anëtarët e qeverisë në formë zyrtare. Po e bëjmë mbështetjen e këtyre mjeteve, por të vijë edhe njoftimi zyrtar,” tha Kuçi.

Në mbledhje u miratua edhe propozimi i projekt-statutit të Fondeve të Sigurimeve Shëndetësore. Bordi i këtij fondi do të ketë mandat trevjeçar, ndërsa atë do ta drejtojë ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani.

Qeveria shtyu për mbledhjen tjetër propozim-vendimin që udhëzon Agjencinë Kadastrala për regjistrimin e pronave të Republikës së Kosovës.