Gjykimi për krim të organizuar | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Thotë se ia Përcolli të Dëmtuarit Porosinë e Kërcënimit me Jetë

Në gjykimin e Arben Bashotës, Osman Bajramit dhe Sylejman Bajramit për krim të organizuar si dhe detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua inspektori i taksave Ejup Pllana.

Ai para se të merrej në pyetje i tha trupit gjykues se nuk ka fare dijeni se përse ishte ftuar që të dëshmonte, sepse, edhe pse në ftesë shkruhej për gjykimin e Arben Bashotës, dëshmitari deklaroi se nuk e njeh fare ketë person.

Kurse pyetjes së prokurores speciale Merita Bina-Rugova nëse e njihte Murat Tërnavën, dëshmitari iu përgjigj se atë e njeh si obligues tatimor.

Tërnava është njëri nga personat, të cilit sipas aktakuzës të akuzuarit i bënë presion për të mos e shfrytëzuar dhe liruar një pronë në Fushë-Kosovë.

Në lidhje me pronat për të cilat Murat Tërnavës iu bë presion të mos i shfrytëzojë,Ejup Pllana tha se ka shkuar për rianketim për tatim në pronë.

Kur kishte shkuar aty tha se kishte dalë një person, i cili i kishte thënë të ia dërgonte një porosi kërcënuese Murat Tërnavës.

“Kur kemi shkuar atje, kemi hyrë në pllac, ka dalë një person të cilin nuk e kemi njohur. Ju kam prezantuar, më është prezantuar, se di a më ka thënë Kadri a Ruzhdi nuk e di, por unë e kam kërkuar Muratin, e ai më ka thënë mua nëse e shoh Murat Tërnavën, jo këtu, por edhe në Fushë-Kosovë pa e vra nuk e lo”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se më pas porosinë ia kishte përcjellë Murat Tërnavës.

“Duke e njohur Muratin si obligues tatimor e kam pasur numrin e tij dhe e kam thirrë nga ana njerëzore të mos takohet me të, me u bo ma keq, ka dalë Murati e kemi pirë nga një kafe dhe i kam thënë çka më tha ai, jo në pllac, po në Fushë Kosovë pa e vra nuk e la, ndërsa Murati ma ktheu po e di kush jonë këta, pastaj jam përshëndet me Muratin, më shumë nuk di”, tha dëshmitari.

Kurse avokati Emrush Kastrati e pyeti dëshmitarin nëse këtë rast e kishte paraqitur në polici.

Në lidhje me këtë dëshmitari u përgjigj se nuk e kishte lajmëruar askënd tjetër përpos Muratit, “Jo nuk më ka shkuar mendja dhe askënd nuk e kam lajmëruar”.

Avokati Kastrati e pyeti dëshmitarin edhe nëse do të mund ta identifikonte personin i cili i kishte thënë t’ia përcjellë atë porosi Murat Tërnavës, nëse i njëjti ndodhej në sallë.

Ndërsa dëshmitari tha se mendon se ai person nuk gjendet në sallë, por që edhe po të ndodhej ndoshta nuk do të mund ta identifikonte pasi që tashmë ka kaluar një kohë mjaft e gjatë.

“Jo, jo por edhe me konë nuk e kisha njohur se unë me atë person kam qëndruar dy minuta dhe ka kaluar një kohë e gjatë”, u përgjigj dëshmitari.

Avokati Haxhi Millaku dëshmitarin e pyeti edhe nëse e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin e Sylejman Bajramit, por dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

“Jo, kurrë valla”, iu përgjigj dëshmitari avokatit.

Anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shpresa Hyseni e ballafaqoi dëshmitarin me një pjesë të deklaratës së tij të mëhershme të dhënë në polici, në të cilën dëshmitari duke e përshkruar momentin që e kishte marrë porosinë për Murat Tërnavën gjatë gjithë kohës ishte shprehur në shumës: “disa persona kanë dalë…”.

Gjyqtarja e pyeti dëshmitarin Pllana nëse kishin qenë disa persona, apo një.

Arsyetimi i dëshmitarit ishte se kur ishte shprehur “ata persona”, e kishte pasur fjalën vetëm për një person, dhe jo për më shumë. pasi që sipas tij ka qenë vetëm një person.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 23 mars.

Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.