Jovica Stanishiq | Foto: MICT

Dëshmitari: Stanishiqi Ishte ‘Komandanti’ i Rebelëve Serbë të Kroacisë

Milan Martiq, i cili drejtonte policinë e një shteti rebel serb të Kroacisë gjatë kohës së luftës, e quajti kreun e sigurimit të shtetit në Serbi Jovica Stanishiq “komandantin e tij të vërtetë dhe të vetëm”, tha një dëshmitar në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë.

Një dëshmitar i mbrojtur i prokurorisë tha në gjyqin e Jovica Stanishiqit në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të martën se në vitin 1991, Milan Martiq, ministri i një shteti të vogël rebel të panjohur serb të Kroacisë të quajtur Krahina Autonome Serbe e Krajinës, tha se i pandehuri ishte “komandanti i tij i vërtetë dhe i vetëm”.

Dëshmitari me emrin e koduar RFJ-144 tha se e pa Stanishiqin në një kamp stërvitjeje për anëtarë të policisë speciale të Krahinës Autonome Serbe në Golubic afër qytetit të Kninit në Kroaci.

Ai dëshmoi se në një takim me komandantët e të gjitha rajoneve të policisë së shtetit të vogël rebel, Martiq tha: “Ky është komandanti im i vërtetë dhe i vetëm, Jovica Stanishiq, i njohur ndryshe si Ledeni”.

Stanishiq, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, akuzohen për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm dhe me dhunë të kroatëve dhe myslimanëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës, të cilat më pas do të përfshiheshin në një shtet të bashkuar serb.

Martiq, i cili më vonë u bë president i shtetit të panjohur të Republikës se Krajinës Serbe, u dënua nga Gjykata e Hagës në vitin 2008 në 35 vjet burg për persekutimin e kroatëve nga rajoni i Kninit në Kroaci.

RFJ-144 dëshmoi gjithashtu se forcat paraushtarake të udhëhequra nga Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, që operonin në vitin 1992 në Sllavoni, Baranjë dhe Srem në Kroaci i vranë të burgosurit e tyre.

I pyetur nëse Razhnatoviqi vendosi “të vriste të gjithë kroatët” dëshmitari u përgjigj: “Nuk e di. Di vetëm se ata nuk morën të burgosur. Ata morën pjesë në përballje një me një dhe i vranë të gjithë.”

Sipas aktakuzës, njësia e Razhnatoviqit ishte nën kontrollin e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe kreu krime në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci.

Ndërsa merrej në pyetje nga avokati i Stanishiqit, RFJ-144 tha se Stanishiqi bisedonte me zyrtarët e policisë në Golubic si “një baba me fëmijët e tij”.

Dëshmitari shtoi se fjalimi i Stanishiqit ngjante më shumë si një “inkurajim atëror” sesa sikur “po jepte urdhra zyrtare”.

I pyetur se sa mirë e njihte Martiqin, dëshmitari u përgjigj: “Zakonisht e shikoja në takimet me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq. Nuk e njihja mirë.”

Gjyqi vazhdon.