Dëshmitari rrëfen si bleu leje të vozitjes për 200 Euro

Në gjykimin për kontrabandim me emigrantë, ku të akuzuar janë Muzafer Sejdiu (ndaj të cilit procedura penale është veçuar sepse gjendet jashtë vendit dhe  deri më tani është i pakapshëm për Policinë), Besart Hasani nga Vitia si dhe Jahi Jahiu nga Gjilani, janë dëgjuar dëshmi nga dëshmitarët e radhës.

Dëshmitari Ismet Ahmeti rrëfeu para trupit gjykues për takimet që kishte pasur me të akuzuarin Muzafer Sejdiu dhe shumën e parave që ia kishte dorëzuar atij me porosinë e vëllait të tij.

Ky dëshmitar tregoi se vëllai i tij, që gjendet në Francë, i kishte thënë që t’ia japë të akuzuarit Muzafer Sejdiu shumën e parave prej 250 eurove, por arsyen se përse t’i japë këto para nuk ia kishte treguar.

Më tutje, dëshmitari tregoi se kur është ftuar në Polici për të dhënë deklaratë për këtë rast, e ka kuptuar shkakun e vërtetë që vëllai i kishte kërkuar që t’i jepte këto para tani të akuzuarit Muzafer.

“Aty kam kuptuar se dhënia e këtyre 200 eurove kishte të bënte me një dokument –patentë shofer”, deklaroi Ismet Ahmeti.

Dëshmitari më tej rrëfeu për mënyrën e pagesës që ia kishte bërë të akuzuarit Muzafer, ku fillimisht njëherë ia kishte siguru 200 euro, e më pastaj, pas një kohe, kur ai ia kishte sjellë dokumentin në shtëpi, ia kishte dhënë edhe 50 euro tjera nëpërmjet bashkëshortes së tij, sepse ai nuk kishte qenë në shtëpi.

Dëshmitari kur u pyet se si është takuar me të akuzuarin Muzafer, deklaroi se vëllai i tij ia kishte dhënë numrin e tij këtij personi, i cili më pas e kishte thirrur në telefon, ku ishin takuar dhe në fillim ia kishte dhënë 200 euro sepse nuk kishte pasur edhe 50 euro tjera për t’ia dhënë.

“Koha kur jam takuar me këtë personin për t’ia dhënë paratë, ka qenë në orët e pasditës, dhe jemi takuar para vetëshërbimit “Rera kom”, ku ai mu prezantua me emrin Muzafer. Unë më pas ia kam kërkuar letërnjoftimin dhe aty figuronte se është Muzafer Sejdiu. Në dukje ky person ka qenë me flokë të bardha dhe sy të verdhë. Se në emër të kujt ishte përgaditur dokumenti (patentë shoferi) për të cilin ishin paguar paratë unë nuk kam njohuri”, deklaroi dëshmitari Ismet Ahmeti.

Dëshmitari më pas u pyet se a ka njohuri për mënyrën se si ka dalë vëllai i tij jashtë shtetit dhe për ndihmën që ia kishte bërë i akuzuari Muzafer Sejdiu që të dalë jashtë vendit.

“Vëllai ka shku në Francë pa letra, por si ka shkuar atje nuk e di. Se a ka qenë personi me emrin Muzafer që e ka ndihmuar me shku jashtë shtetit, unë nuk kam njohuri”, deklaroi në fund dëshmitari Ismet Ahmeti.

Në këtë shqyrtim gjyqësor të ftuar me urdhëresë për dëshmim ishin edhe persona me emër Remzi Hajdari, Bekim Mustafa, Leotrim Ukshini dhe Fatmir Hasani, por pas njoftimit që u bë nga stacioni policor në Viti, u konfirmua se këta persona janë jashtë shtetit dhe është e pamundur që të sigurohet prezenca e tyre në gjykim.

Pas kësaj prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu, i propozoi trupit gjykues që meqenëse dëshmitarët e lartëcekur janë jashtë shtetit, të mos dëgjohen këta dëshmitarë sepse nuk dihet koha e kthimit të tyre në Kosovë, por të bëhet leximi i deklaratave të tyre të dhënë më herët në Polici.

Mbi këtë propozim edhe pse u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Jahi Jahiu, avokatit Ymer Huruglica, trupi gjykues vendosi që ta aprovojë kërkesën e prokurores Habibe Salihi dhe gjykimi më tej vazhdoi me leximin e këtyre deklaratave.

Pas leximit të deklaratave të këtyre dëshmitarëve, prokurorja Habibe Salihi i rikujtoi trupit gjykues që sipas aktakuzës është propozuar që të ftohet për dëshmim edhe dëshmitari-hetuesi policor Avdyl Sekiraqa, i cili kishte qenë prezent gjatë kohës kur janë bastisur shtëpitë e të akuzuarve.  Propozim ky që u kundërshtua nga avokatët Ymer Huruglica e Sevdali Zejnullahu.

Lidhur me këtë, trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Agim Ademi kryetar, Zyhdi Haziri e Naser Maliqi anëtarë, morën aktvendim ku aprovuan kërkesën e prokurorës Salihi, që të ftohet për të dëshmuar ky dëshmitar dhe u vendos që seanca të shtyhet për më 22 janar 2019.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë e ngritur më 15 prill 2015, e cila përfaqësohet nga prokurorja Habibe Salihi thuhet se Muzafer Sejdiu dhe Besart Hasani prej marsit të vitit 2013 deri në mars të vitit 2014, kanë vepruar si grup i cili ka organizuar kontrabandimin e emigrantëve për në Zvicër.

Grupi përfshinte individë me banim në Zvicër të njohur si “Nijazi” dhe “Puka”, të cilët drejtonin aktivitetet e kontrabandimit të emigrantëve. Kështu këta dy persona kishin marrë pjesë aktive në këtë grup, njëri duke rregulluar dokumentet e falsifikuara që janë përdorur nga emigrantët dhe tjetri duke prodhuar dokumente fals për t’u përdorur nga emigrantët e kontrabanduar. Të dy këta e kanë bërë këtë me qëllim të përfitimit financiar.

Kurse, Muzafer Sejdiu dhe Jahi Jahiu prej prillit të vitit 2013 e deri në mars të vitit 2014, kanë organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar aktivitetet e një grupi të organizuar kriminal, i cili përfshinte ata vetë, një shtetas maqedonas të quajtur “Pavle” dhe persona të tjerë të panjohur. Grupi i organizuar në këmbim të pagesës financiare,  ka organizuar kontrabandimin e emigrantëve nga Kosova përmes Serbisë për në Hungari dhe nga Kosova përmes Maqedonisë për në Greqi.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast:

https://kallxo.com/dy-deshmitare-deshmojne-ne-gjykimin-per-kontrabandim-me-emigrante/

www.kallxo.com