Ilustrim

Dëshmitari rrëfen për vrasjet me pagesë në Gjakovë

Procesi gjyqësor në rastin e vrasjes së Ferdinand Gjinit, për të cilën pretendohet se në Zvicër u paguan paratë, ka vazhduar me paraqitjen e dëshmitarëve para të akuzuarve.

Në gjykimin ndaj Bekim Rajës, Avni e Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishit në Gjykatën e Pejës, për vrasjen e Ferdinand Gjinit dëshmoi gruaja e Gjinit bashkë me miqtë dhe familjarët e të akuzuarve.

Miku i Ferdinand Gjinit, dëshmitari Eugjen Përlalaj tha se e njeh Gjon Pnishin, por s`kishte pasur shoqëri me të.

“Dy ose tre muaj para vdekjes, Ferdinandi është shoqëruar me Gjonin. Neve na është dukur e çuditshme dhe na ka thënë që puna është për një revole”, tha dëshmitari Eugjen Përlalaj.

“Ai ka marr pare me fajde por nuk ka dhënë asnjëherë, e as nuk është marrur asnjëherë me blerje ose shitje të drogës”, tha Eugjeni.

Ai tha se Ferdinandi ka pasur një konflikt me Bekim Rajën, me të cilin edhe janë rrahur bashkë me Mark Kqirën e Pashk Gjinin.

“Ferdinandi më ka thënë ‘o ka me na vra Bekimi o duhet mem vra, sepse ai osht t`u i pagu njerëzit për senet që jon tu ndodh’”, tha miku i Ferdinandit, Eugjeni.

Në deklarimet e Eugjenit, i akuzuari Bekim Raja tha se kjo dëshmi është parapërgatitje, ndërsa prokurorja Valbona Haxhosaj kërkoi nga gjykata që t`i tërhiqet vërejtja të akuzuarit Bekim Raja.

Eugjen Përlalaj vazhdoi duke thënë se: “Ferdinandi një ditë para vrasjes na ka thënë që po shkon të takohet me Gjonin dhe Ferdinandi na ka thënë që me Gjonin ka qenë edhe Avnia”.

“Dy javë para vrasjes me Ferdinandin dhe me Gjonin kam shkuar në një fshat të Deçanit dhe kemi blerë një revole”, tha Eugjeni.

Ai tha se ka pasur kërcënim nga ana e Gjonit.

“Në gjykimin e kaluar, Gjoni përmes një të burgosuri më ka thënë që mos e merr therrën e huaj me e shti në këmbë tënde, mos më merr në qafë me deklarata, se s`kam faj”, tha ai.

Pas këtyre detajeve Eugjen Përlalaj tha se kishte qenë i frikësuar t`i thotë më herët dhe se atëherë nuk kishin qenë të arrestuar të gjithë personat, ndërsa sot ai e shikoj të arsyeshme t`i thotë.

Dëshmitari Eugjen tha se e kishte parë Avniun duke u përshëndetur me Ferdinandin në Maron-Club në Prishtinë, 5-6 muaj para vrasjes.
Ndërsa i akuzuari Avni Sinanaj bëri vërejtje në dëshminë e Eugjenit, duke thënë që asnjëherë nuk është takuar me Ferdinandin dhe se ai nuk është njeri i klubeve.

Ai tha se dje për herë të parë e ka parë Bekim Rajën, ndërsa si emër e ka dëgjuar prej problemit me Ferdinandin.

Gardianëve sërisht ju është dashur t’i veshin antiplumb Gjon Pnishit, i akuzuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Çështja e vrasjes së Ferdinand Gjinit është përshkruar në aktakuzën e Prokurorisë.

E njëjta pretendon se i ndjeri u vra me porosinë e Bekim Rajës, i cili e kishte porositur Avni dhe Murat Sinanajn të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini, duke ju ofruar shpërblimin në shumën prej 100 mijë frangave zvicerane.

 

https://kallxo.com/peje-i-akuzuari-per-vrasje-levizet-me-antiplumb/

 

Trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Sami Sharraxhiu bashkë me anëtarët Lumturije Muhaxhiri dhe Florije Zatriqi kanë dëgjuar edhe deklaratat e dëshmitarëve të tjerë.

Dëshmitari Agron Nokaj tha se ditën kur është vrarë Ferdinandi në 7 e 30 min. të mëngjesit e kishte thirrur në telefon, e kishte pyetur se çka po bën.

“Më ka treguar që është në Deçan me një shok dhe nëse vonohet të shkoj t`ia marr qikën me ja dërgu në çerdhe, sepse unë Ferdinandin e kam pasur dajën e babës”, Agron Nokaj.

Në gjykatore përpos mikut të Ferdinandit për vrasjen e tij ka rrëfyer edhe gruaja e Gjon Pnishit, dëshmitarja Blerta Mala.

Prokurorja paralajmëroi trupin gjykues se lidhur me këtë dëshmitare janë paraqitur rrethana të reja e që do të ketë edhe pyetje të reja, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve e kundërshtuan këtë gjë me arsyetimin se është ngritur një akuzë për këtë çështje dhe se nuk janë në fazë të hetimeve.

Ndërkaq trupi gjykues ia lejoi prokurores Valbona Haxhosaj marrjen në pyetje të dëshmitares Blerta Mala.

Prokurorja pyeti dëshmitaren se cili ka qenë avokati i Gjonit në fillim të shqyrtimit të kaluar dhe se a e di nëse avokati Ndrec Dodaj ka marrë pjesë në ndonjë fazë të shqyrtimit të kaluar?

Dëshmitarja Blerta tha se ka qenë avokati Haxhi Çekaj dhe nuk e di kush është marrë prej familjes me angazhimin e avokatëve, ndërsa për avokatin Ndrec Dodaj nuk i kujtohet.

“Kanë kaluar gati 5 vite dhe nuk më kujtohet nëse e ka thirrë dikush Gjonin në telefon për t`i thënë që është i dyshuar për vrasje, por deklaratat që i kam thënë më herët i pranoj të gjitha”, deklaroi gruaja e të akuzuarit Gjon Pnishit, Blerta Mala.

Prokurorja ballafaqoi dëshmitaren me deklaratën e saj në Prokurori, në të cilën ka thënë se: “Gjoni është fshehur me qëllim që Policia e gjen kryesin e veprës dhe për atë nuk është dorëzuar ai dhe se e ka konsideruar vetën të pafajshëm”.

Dëshmitarja përgjigjet që po është e vërtetë krejt ato çka kam thënë.

“Unë nuk e njoh Bekim Rajën dhe nuk kam njohuri nëse Gjoni ka qenë shok me Murat e Avni Sinanaj”, shtoi ajo.

Më pas dëshmitari Pal Pnishi- djali i axhës së Gjon Pnishit dëshmoj para gjykatës së Pejës.

“Unë fare nuk e kam njohur Ferdinand Gjinin e as Bekim Rajën, ndërsa Murat e Avni Sinanaj i njoh se kanë sjellë dru te Gjoni, ndërsa për rastin e ndodhur nuk di”, tha ai.

Dëshmitari Anton Komani në farefisni me Bekim Rajën tha se: “Mbes pranë deklarimeve të dhëna në Prokurori dhe të gjykimit të kaluar”.

Dëshmitari Ismet Haklaj, kushërini i vëllezërve Sinanaj deklaroi se:
“Unë mbetëm pranë deklarimeve të dhëna në Prokurori dhe në shqyrtimin gjyqësor të kaluar”.

Edhe dëshmitari Taulant Rraci tha se qëndron prapa të gjitha deklaratave të dhëna më herët.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, mbrojtësja e të akuzuarit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokati Osman Havolli, i propozuan gjykatës që ndaj të mbrojturve të tyre nga paraburgimi të ju shndërrohet masa e arrestit shtëpiak.

“Jemi të gatshëm të japim dorëzani për sigurimin e prezencës së të akuzuarit në gjykatë”, tha avokati Osman Havolli.

Këtij propozimi për zëvendësimit të paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, ju bashkëngjit edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gjon Pnishi, avokati Ndrec Dodaj, mirëpo trupi gjykues i refuzoj propozimet e mbrojtësve.

Seancat e radhës u caktuan me 21 dhe 22 Mars.

Shpjegimi i Prokurorisë

Çështja e vrasjes së Ferdinand Gjinit është përshkruar në aktakuzën e Prokurorisë.

E njëjta  pretendon se i ndjeri u vra me porosinë e Bekim Rajës i cili e kishte porositur Avni dhe Murat Sinanajn të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini, duke ju ofruar shpërblimin në shumën prej 100 mijë frangave zvicerane.

Më shumë se katër vite hetime i janë dashur Prokurorisë së Pejës për të ngritur tezën e vrasjes me pagesë të Ferdinand Gjinit.

Gjini  ishte vrarë mëngjesin e 23 qershorit 2014 në urën që lidhë fshatin Llukë dhe Prapaqan të Deçanit.

 

https://kallxo.com/zbulohet-identiteti-i-te-vrarit-ne-decan/

Hetimet e para të Prokurorisë përgjegjës për këtë vrasje e identifikuan Gjon Pnishin. Ai ishte arrestuar, ndërsa disa muaj më vonë ndaj tij filloi procesi gjyqësor në Gjykatën e Pejës.

Nën akuzën për vrasjen e Gjinit, Pnishi ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 18 vite burgim.

Por vrasja e cila tronditi zonën nuk kishte marrë verdiktin final, pasi Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim çështjen ndërsa në rrugën hetimore prokurorja e rastit Valbona Haxhosaj kishte ngritur dyshime të reja.

Prokurorja Haxhosaj pretendonte se kishte zbuluar se vrasja ishte kryer me pagesë duke pretenduar se dihet edhe shuma e parave.

Bekim Raja sipas aktakuzës e kishte porositur Gjon Pnishin që së bashku me dy persona të tjerë Avni dhe Murat Sinanajn ta ekzekutonin Ferdinand Gjinin. Për ta realizuar këtë qëllim sipas aktakuzës, Bekim Raja i kishte ofruar Gjon Pnishit shumën prej 100 mijë frangave.

Për ta realizuar qëllimin tre të pandehurit Gjon Pnishi, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj e kishin ndërtuar planin e vrasjes.

Të pandehurit kishin kontaktuar me viktimën me qëllim të shkëmbimit të një substance narkotike dhe siç përshkruhet në aktakuzë viktima gjatë tërë kohës ishte ndjekur nga i akuzuari Gjon Pnishi.

“Kur viktima kishte arritur në vendin e krimit Gjon Pnishi i kishte bllokuar rrugën ndërsa i pandehuri Murat Sinanaj kishte qëlluar mbi të me automatik”, thuhet në aktakuzë.

https://kallxo.com/arrestimi-4-te-dyshuarve-shtyn-gjykimin-per-vrasjen-e-ferdinand-gjinit/

.