Dëshmitari: Roja Mohoi se u Prenë Drunjtë

Hazer Dana, dëshmitari në gjykimin e gjashtë zyrtarëve të pylltarisë në Komunën e Suharekës tha se pas marrjes së njoftimit për prerje ilegale të pyjeve i kishte kërkuar Agim Shalës ta vërtetonte gjendjen në terren.

Dana është drejtor për administrimin e Parkut Nacional “Sharri”, ndërsa Agim Shala është roje e pyjeve të këtij parku dhe njëri nga të akuzuarit.

Dana më tutje gjatë dëshmisë së tij, tha se Shala i kishte thënë që ishte në terren dhe nuk është e vërtetë që kishte prerje ilegale të pyjeve.

Dana tha se rojat e pyjeve në parkun nacional edhe pse orarin zyrtar e kanë tetë orë e kanë obligim të kujdesen për pyjet 24 orë.

“Rojtarët e natyrës në Parkun e Sharrit janë të ngarkuar 24 orë dhe shtatë ditë në javë. Orarin ata duhet ta kombinojnë sipas nevojës, nuk e kanë të përcaktuar kohën kur duhet të dalin në punë,” tha Dana.

Në këtë proces gjyqësor Sedat Jemini, përgjegjës i Njësisë Komunale për Pylltari në Suharekë, zyrtarët e saj Hamza Kolgeci, Hasan Buzhala, Agim Gashi dhe Bashkim Gashi si dhe roja e pyllit Agim Shala ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të gjashtët akuzohen se më 4 korrik 2015 mes orës 5 dhe 8 në fshatin Dolloc të Suharekës shkelën me dashje ligjin, pasi u larguan nga vendi “Ara e Ramës” duke ua mundësuar Xhemajli Destanit e Rizah Hajdarit largimin bashkë me traktorët e tyre të mbushur me dru të prerë në mënyrë ilegale, edhe pse policia i kishte identifikuar këta traktorë një ditë më herët.

Dëshmitari tjetër Safet Shala që në ditën kur u raportua prerja e pyjeve ishte në detyrë si zyrtar policor, tha se në Bjeshkët e Dollocit kishte parë grumbuj të drunjve të prerë dhe kishte takuar të gjithë të akuzuarit e këtij procesi.

Ai tha se policët e pranishëm në vendin e prerjes së drunjve nuk kishin ndaluar aty, por ishin nisur në kërkim të drunjve tjerë të prerë, ndërsa kur ishin kthyer te vendi i drunjve të grumbulluar, këta drunj nuk ishin më aty.

Me dëshminë e drejtorit Dana, policit Shala dhe dy personave tjerë përfunduan dëshmitarët e këtij procesi.

Seanca e radhës kur priten të lexohen provat materiale dhe të merren në pyetje të akuzuarit, u caktua më 21 dhjetor.