Ish-zyrtarët e Sigurimit serb të Shtetit Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq. Foto: MICT.

Dëshmitari: Policia e Kninit i Trembej Simatoviqit

Në gjyqin e mbajtur para Gjykatës së OKB-së në Hagë, pala mbrojtëse e Franko Simatoviq, një ish-zyrtari të lartë të Shërbimit të Sigurimit Serb, SDB, mohoi ato çka tha dëshmitari i mbrojtur RFJ-066, i cili deklaroi se ai kishte urdhëruar njësitë serbe në Krajinën e Kninit të Kroacisë në vitin 1991.

Megjithatë, dëshmitari i qëndroi deklaratës së tij, të bërë fillimisht në mes të korrikut, ku tha se Simatoviq ishte “komandant i përgjithshëm” i njësive që kryen krime kundër kroatëve gjatë një sulmi në fshatin Saborsko në nëntor të vitit 1991.

Shefi i Simatoviq dhe shefi i SDB-së Jovica Stanishiq akuzohen për përndjekje, vrasje, dëbim dhe zhvendosje me forcë të civilëve dhe myslimanëve kroatë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë nga viti 1991 deri më 1995.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati i Simatoviqit, Mihajlo Bakraç, tha se dëshmitari nuk kishte informacion të drejtpërdrejtë lidhur me atë që komandoi sulmin ndaj Saborskos, por vetëm sa kishte dëgjuar nga të tjerët për këtë.

Dëshmitari RFJ-066, i cili ishte pjesë e policisë së rajonit autonom Krajina, SAIO Krajina, që refuzoi autoritetin kroat – dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë i ministrit të Brendshëm të SAO Krajina, Milan Martiq, konfirmoi se e dëgjoi këtë nga Martiq.

Por Bakraç kujtoi dëshmitarin se gjatë gjykimit të parë të Stanishiqit dhe Simatoviqit, ai kishte thënë se Martiq vetë e urdhëroi sulmin në fshatin Saborsko. “Cila është e vërteta? E urdhëroi Simatoviq apo Martiq?” pyeti Bakraç.

“Të dy deklaratat janë të vërteta”, u përgjigj dëshmitari RFJ-066.

Gjykata e Hagës, ICTY, e burgosi Martiqin, me një vendim të shkallës së dytë, me 35 vjet burg për krime kundër kroatëve në Republikën e Krajinës së Serbisë, RSK.

Gjatë dëshmisë së tij kryesore, dëshmitari RFJ-066 tha se, duke vepruar përmes ndihmësit të tij, Simatoviq, Stanishiq kishte armatosur, stërvitur dhe kontrolluar njësitë në SAO Krajina që dëbuan dhe vranë kroatët lokalë nga 1990 në 1992.

Ndërsa u mor në pyetje më tej nga prokurori Grace Harbour, dëshmitari tha se policia e Kninit kishte frikë nga Simatoviq në vitin 1990, duke shtuar se ata “nuk donin të përdorin armët” dhe “u hodhën nga dritaret e stacionit të policisë sa panë Simatoviqin të vinte me foristradën Puch”.

I pyetur se çfarë ndryshoi më pas në verën e vitit 1991, kur policia e SAO Krajina mori pjesë në operacione luftarake, dëshmitari RFJ-066 tha se policët që e bënë “nuk ishin policë të zakonshëm por vullnetarë” nga një kamp në Golubiç, i themeluar nga Simatoviq dhe ku Dragan Vasiljkoviq, i njohur si “Kapiteni Dragani”, menaxhoi procesin e stërvitjes.

Dëshmitari konfirmoi se, duke qenë anëtar i policisë së SAO Krajina, mori një letërnjoftim të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Rigjykimi i Stanishiqit dhe Simatoviqit do të vazhdojë më 29 gusht kur do të dëshmojë dëshmitari tjetër i prokurorisë.