Dëshmitari: Nuk Bisedova me Sami Lushtakun

Lushtaku që është zëvendësmenaxher i sigurimit dhe skenimit në Aeroportin e Prishtinës si dëshmitar në gjykimin për tenderin e KEK-ut tha se nuk është takuar me Sami Lushtakun për të diskutuar rreth sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut.

“Unë me Sami Lushtakun asnjëherë s’kemi biseduar për projektin e KEK-ut,” tha dëshmitari, duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit.

Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt është njëri nga shtatë të akuzuarit për tenderin 6 milionësh të sigurimit të objekteve të KEK-ut të cilin në vitin 2012 e firoi kompania “Security Code”.

Disa nga punëtorët e aeroportit ndërruan vendet e punës duke dalë nga aeroporti në “Security Code”, pasi kjo kompani fitoi këtë tender.

Dëshmitari pranoi se kushëriri i tij Milazim Lushtaku që është njëri nga të akuzuarit e këtij procesi, e kishte njoftuar për mundësinë e vendeve të punës në sigurimin e KEK-ut, duke i kërkuar që t’i gjejë punëtorë të kualifikuar e të  interesuar.

“Mua Milazimi më ka thënë nëse ka punëtorë të interesuar me punu në projektin e KEK-ut dhe e di që punëtorët e interesuar janë takuar me të, mirëpo unë nuk kam marrë pjesë në atë takim,” tha Hilmi Lushtaku.

Lushtaku tregoi se edhe Lumjan Tolaj, një zyrtar i aeroportit ishte pranuar në “Security Code”, por tha se nuk e dinte nëse i ishte refuzuar dorëheqja në pozitën që mbante më parë.

Bahri Nuredini, një zyrtar tjetër i aeroportit që dëshmoi të martën, tha se Lumjan Tolajt i ishte refuzuar dorëheqja nga aeroporti.

http://kallxo.com/deshmi-nga-aeroporti-ne-tenderin-e-kek-ut/

Ndërsa vetë Tolaj tha më 22 prill se kishte presion nga policia për ta nënshkruar deklaratën gjatë hetimeve për tenderin e KEK-ut.

http://kallxo.com/deshmitari-kisha-presion-nga-policia/

Hilmi Lushtaku në seancën e sotme pranoi se ishte takuar me punëtorët që nga aeroporti dolën në “Security Code”.

“Unë jam takuar me punëtorët që janë pranuar në ‘Security Code’ dhe më kanë thënë se janë të kënaqur me punën e re, ndërsa me Lumjanin [Tolajn] jam takuar shumë rrallë,” tha dëshmitari Lushtaku.

Ky dëshmitar tha se vetë nuk ka pasur nevojë ta ndërrojë vendin e punës, pasi ndihet mirë dhe ka përvojë për punën që bën në aeroport.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë dhe i kanë kundërshtuar akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria e EULEX-it.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, javën e kaluar transmetoi hulumtimin se si Hilmi Lushtaku, dëshmitari i sotëm në rastin e KEK-ut, është duke punuar me oraret e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pavarësisht se është i dënuar për vepër penale.

http://kallxo.com/dnk-anetari-sigurimit-te-anp-se-denuar/