Foto-ilustrim

Dëshmitari në arrati, dështon seanca për terrorizëm

Mungesa e dëshmitarit Fitim Dema ka bërë të dështojë përsëri mbajtja e seancës gjyqësore në gjykimin për terrorizëm ndaj Gazmend Halitit.

“Pasi nuk kemi arritur ta sigurojmë praninë e dëshmitarit nga policia kemi marrë informacion se i njëjti është në arrati dhe pasi që nuk e kemi pranuar akoma ekspertizën nga FBI për identifikimin e fytyrës me të cilin vërtetohet se a është Gazmend Haliti në ato prova, në mungesë të kushteve dhe për këto dy arsye seanca shtyhet për kohë të pacaktuar”, tha kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gerguri.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Haliti, avokati Asdren Hoxha, kërkoi nga Gjykata ndërprerjen e masës së paraburgimit, duke e quajtur edhe skandal juridik qëndrimin e të mbrojturit të tij në paraburgim.

“Meqenëse pesë seanca të shqyrtimit kryesor kanë dështuar, secila pa fajin e të mbrojturit tim dhe meje, për arsye të ndryshme – të mungesës së dëshmitarit apo të prokurores së çështjes, e cila ka qenë në udhëtim zyrtar dhe meqenëse nuk po arrihet të sigurohet prania e dëshmitarit, mendoj se është e papranueshme dhe skandal juridik mbetja e të mbrojturit tim në paraburgim, andaj ju propozoj që sot masën e paraburgimit ta zëvendësoni me arrest shtëpiak”, tha avokati Hoxha.

Kërkesën e avokatit e kundërshtoi prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova.

“Pasi i akuzuari deri para një muaji ka qenë në vuajtje të dënimit e jo në paraburgim, të njëjtit i është caktuar paraburgimi në fillim të muajit nëntor, ashtu që nuk mund të konsiderohet se zgjatja e paraburgimit është e paarsyeshme. Përveç kësaj, i njëjti është recidivist i veprave penale për terrorizëm, ashtu që konsiderojmë se ekzistojnë të gjitha arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, tha prokurorja.

Pas kësaj, trupi gjykues në përbërje prej gjyqtareve Shadije Gerguri, Syzana Çerkini dhe Shpresa Hyseni e refuzoi kërkesën e mbrojtjes duke e lënë kështu nën masën e paraburgimit të akuzuarin për terrorizëm.

Në këtë gjykim, Prokuroria pretendon se Gazmend Haliti me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, duke shkuar në vitin 2013 në Turqi, e nga aty në Siri ku edhe i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në veprimtaritë e ISIS-it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që ta frikësojë popullsinë dhe t’i shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2014, Haliti ka shkuar në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në Aeroportin “Rinas” të Tiranës, së bashku me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Sipas aktakuzës, më 20 shkurt 2014, ata kanë hyrë me veturë në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Aktualisht, Haliti është i dënuar për terrorizëm së bashku me pesë të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, rast ky të cilin Gjykata e Apelit këtë dhjetor e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.

Haliti u dënua me tri vjet e gjysmë burg.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për proceset gjyqësore ndaj Gazmend Halitit. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.