Dëshmitari: Kontrata mes PTK-së dhe Z-Mobile që nga nënshkrimi ka pasur probleme

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish-kryeshefëve të kësaj kompanie publike, Agron Mustafa e Ejup Qerimi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës, kanë dëshmuar Mehdi Latifaj, Valbon Zhuniqi dhe Fatmir Tërrnava.

Mehdi Latifaj, i cili në PTK, që nga viti 2009 kishte mbajtur pozita të ndryshme, e njëra nga ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv, tha se që kur është nënshkruar kontrata mes PTK-së dhe Z-Mobile kishte pasur problem.

“Që nga nënshkrimi i kësaj kontrate ka pasur probleme, për shkak  të mosliferimit, degradimit  të shërbimeve, shërbimeve 3G dhe 4G dhe bllokut numerik shtesë të 1.000 numrave. Këto nuk kanë ndodhur të tërat menjëherë, por në periudha të ndryshme kohore”, tha Latifaj.

Sa i përket marrëveshjes mes Dardafon dhe PTK-së, dëshmitari tha se ajo kontratë ka pasur mangësi të mëdha juridike si dhe dykuptimësi. Sipas tij, këto kanë rezultuar me mospajtime ndërmjet palëve.

Më pas dëshmitari Latifaj tha se problemi tjetër kishte qenë edhe kodi shtetëror, ku si kosto nuk ishte paguar nga Z-Mobile.

“Problem juridik ka qene kodi shtetëror, e cila si kosto nuk është paguar nga ana e Z-Mobile, ndonëse është kosto direkte dhe se kosto e PTK-së do ishte më e ulët mos të kishim numra të Z-Mobile karshi Monaco Telekomit. Kodi +377 ka qenë një kohë i huazuar nga Monako, që Telekomi ia ka dhënë në shfrytëzim Z-Mobile 2.000 numra, dhe për ata numra Telekomi në vazhdimësi ka paguar kosto”, tha Latifaj.

Më pas dëshmitari u pyet nga prokurori special Atdhe Dema se a kishte pasur ndonjë takim më përfaqësuesit e Dardafon.

Dëshmitari tregoi se ishte takuar dy herë me kërkesë të tyre, në kohën sa kishte ushtruar detyrën e kryeshefit ekzekutiv, dhe sipas tij kërkesa e Dardafon në radhë të parë kishte qenë shërbimet me 3G dhe 4G.

Por Latifaj tha se shërbimet në atë kohë kishin qenë në fazën e implementimit të projektit dhe se nuk kishin qenë ende në funksion as nga ana e PTK-së.

Kurse kur u pyet për vendimin e ARKEP-it, ai tha se ky vendim kishte qenë kontradiktor, sepse sipas tij i përmend dy terminologji, njëra rezervim i numeraconit dhe tjetra – ndarje.

Tutje dëshmitari Latifaj tha se ky vendim në tërësi nuk ishte respektuar, sepse mbas tribunalit nuk ishte dhënë ai bllok i numeracionit  0457 por vetëm 046. Dhe se sipas tij 0457 kishte filluar të shitej në treg dhe se konsumatorët e Valës i kishin pasur në përdorim ata numra.

Sipas dëshmitarit, vendimi i ARKEP-it  kishte qenë kontradiktor në përmbajtje, ku ai tregoi se ai vendim thoshte se një herë duhet me iu nda numeracioni kompanisë Z-Mobile, e pastaj t’I rezervohet.

Sipas mendimit të tij ky vendim e kishte vënë PTK-në në një situatë kontradiktore, ku më pas PTK-ja ishte detyruar të ushtrojë edhe padi.

Kurse  dëshmitari Valon Zhuniqi,  i cili nga viti 2013- 2015 kishte qenë drejtor i njësisë Vala, tha se kishte qenë në dijeni për  kontratën e lidhur  mes PTK-së dhe Z-Mobile.

Tutje ai tregoi se mosmarrëveshjet mes PTK-së dhe Z-Mobile në vitin 2013 kishin qenë tek numeracioni shtesë, përveç atyre sa kishin qenë me kontratë të parapara. Më pas ai tha se problemi kishte filluar edhe me shërbimet e reja të cilat kishin qenë shërbimet 3G dhe 4G.

“Sa i takon shërbimeve dhe numeracionit të cilin Dardafon e ka shfrytëzuar prej aktivizimit të kontratës, shërbimet GSM dhe numeracionet 045 dhe 046 sipas njohurive të mia mosmarrëveshjet kanë filluar kur të njëjtit kanë kërkuar shërbime shtesë përtej rangjeve 045 dhe 046 po ashtu edhe shërbimet 3G dhe 4G”, tha Zhuniqi

Kur u pyet se a e ka parë vendimin e ARKEP-it, i njëjti u përgjigj: “Po, jam në dijeni që ka pasur një vendim të ARKEP-it  i cili merr nga PTK-ja numeracionin e vetëm të rezervuar 0457. Dhënia e këtij rangu 0457 ka qenë e fragmentuar sepse disa numra kanë qenë aktivë dhe nuk ka mundur t’i jepen Z-Mobile, pasi që ka pasur Telekomi i Kosovës kontrata me individë që kanë pasur në shfrytëzim numra të këtij rangu”, tha ai.

Tutje dëshmitari Zhuniqi tha se lidhur me këtë vendim  është ushtruar edhe një padi në gjykatën kompetente.

Ndërkaq sa i përket vendimit të Arbitrazhit, ai tha se  kishte marrë pjesë në seancën dëgjimore dhe se kishte qenë njëri nga dëshmitarët nga ana e PTK-së.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 22 gusht.

https://kallxo.com/deshmitari-marreveshja-ptk-z-mobile-ishte-mekanizem-per-plackitje-te-fondeve-publike/?fbclid=IwAR221DvDbTD9eWXhplnEeMNSct1KiG9xp8Z_NuBW2–LYHMWqU2uFq516Kw

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimi gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, datë kur ai, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

Në mars të këtij viti, Blerim Devolli, pronar i kopanisë Z-Mobile, ka rrëfyer para Gjykatës për takimet e tij me ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerim

KALLXO.com raportoi në shkurt të këtij viti që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës së Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës së shkallës së parë të marrë në dhjetor të vitit të kaluar.

Më 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barrë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurorja speciale Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të Arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.