Dëshmitari: Kisha Presion nga Policia

Tolaj që punoi në kompaninë “Security Code”, fituesen e tenderit 6 milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut tha në gjykatë se “unë gjatë dhënies së deklaratës në polici në lidhje me këtë rast kam pasur presion”.

Ai tregoi se çfarë i kanë thënë në polici.

“Komunikimi i tyre ka qenë ‘duhet ta nënshkruash deklaratën që e ke dhënë në polici’. Pra, unë e kam marrë si trysni. Po ashtu policia më ka dërguar SMS në të cilën më është thanë ‘hajde shpejt në polici, ose vimë të marrim aty ku je’,” tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se deklaratën në polici e ka dhënë më 13 dhjetor 2012 , ndërsa atë ditë tha se nuk e ka pasur gjendjen e mirë emocionale, ndërsa në një moment ka qenë edhe i dekoncentruar sipas tij nga trysnia policore.

Për tenderin e KEK-ut po gjykohen shtatë persona, mes tyre edhe drejtori menaxhues i KEK-ut Arben Gjukaj, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha.

Dëshmitari i sotëm Lumjan Tolaj tha se nuk i kujtohej kur kishte nisur punën në kompaninë e sigurimit fizik “Security Code”.

Tolaj u pyet edhe për deklaratën që e kanë nënshkruar punëtorët e “Security Code” se a janë të gatshëm të punojnë në ofrimin e sigurisë për objektet e KEK-ut.

“Unë e kam nënshkruar një deklaratë po nuk di cili ka qenë efekti i kësaj deklarate. Po ashtu nuk e di që është përdorur për t’u arritur kontrata mes kompanisë ‘Security Code’ dhe KEK-ut,” tha dëshmitari.

Tolaj tha se para fillimit të punës së “Security Code” ka pasur kontakte telefonike me pronarin e kësaj kompanie Esat Tahirin, por deklaroi se nuk i kujtohej për çfarë biseduan, po ashtu nuk i kujtohet as çka ka biseduar me Esatin as me 12 dhjetor 2012, një dita para  takimit që kanë pasur në objektet e KEK-ut.

Ai në gjykatë e identifikoi Tahirin, i cili është njëri nga të akuzuarit.

“Unë në takimin që e kemi pasur në objektet e KEK-ut me 13 dhjetor 2012 kam shkuar si punëtor i kompanisë “Security Code” dhe pas këtij takimi kam filluar punën ne ketë kompani,” u përgjigj dëshmitari në pyetjen e avokatit Mentor Neziraj, mbrojtës i të akuzuarit Esat Tahiri.

Po ashtu dëshmitari Tolaj deklaroi se policia nuk i ka ofruar kurrfarë autorizimi nga prokuroria gjatë marrjes se deklaratës në lidhje me këtë rast.

Ndërsa pyetjes së prokurorit se pse e ke nënshkruar deklaratën e dhënë në polici pasi që ke pasur siç po thua presion, dëshmitari iu përgjigj me fjalët ”se kam refuzuar ndoshta për shkak te presionit dhe vetëdijes jo të plotë, pasi që nuk e kam ndier veten mirë pas thirrjeve telefonike dhe SMS-ve të marra nga ana e policisë atë ditë”.

Edhe dëshmitarët e djeshëm u pyetën rreth deklaratës për gatishmërinë e punës në sigurimin e objekteve të KEK-ut, të cilën e kishte kërkuar korporata për ata që do ta fitojnë tenderin.

http://kallxo.com/menaxheri-security-code-ne-gjykimin-per-tenderin-e-kek-ut/

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë dhe i kanë kundërshtuar akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria e EULEX-it.

Seanca e radhës në ketë rast do të zhvillohet më 26 prill 2016, ku do te vazhdohet me marrjen në pyetje te dëshmitarëve të radhës.