Gjykata në Ferizaj

Dëshmitari Frikohet të Shkojë Vetë në Gjykimin e Policit

Dëshmitari G. B. nga Drenasi që u soll për të dëshmuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj nën shoqërim të policisë, tha se nuk do të vijë vetë në seancën tjetër për të dëshmuar.

“Unë nuk vi vetë në gjykatë nëse Policia nuk më sjellin apet si sot, unë edhe në punë kur shkoj vinë më marrin shokët e punës se prej këtij rasti unë nuk dal vetë e as deri ktu nuk vi se kam frikë nga huliganat“, tha dëshmitari.

Seanca ndaj pjesëtarit të Policisë së Kosovës Adem Cani që akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë u shty për mungesë të prokurorit Shukri Jashari.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli tregoi se prokurori Jashari në momentin e fundit vendosi të mos vijë në seancë, pasi sipas Konxhelit, ndodhet në një seminar në Prizren.

Në seancë nuk u paraqit as i dëmtuari Liridon Vranovci, përkundër urdhëresës për sjellje me detyrim të tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Adem Cani ngarkohet se më 4 gusht të vitit 2015 në parkingun e restorantit “Montana” në Ferizaj me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit Bujar Hasani, Liridon Vranovci dhe Valon Kleçka.

Në aktakuzë thuhet se Cani në fillim nisi të bisedojë me të dëmtuarit, por më pas pas konfliktit verbal situata u tensionua dhe shpërtheu rrahja.

Aktakuza më tutje sqaron se Cani me revole zyrtare në fillim qëlloi në këmbën e djathtë Valon Kleçkën, pastaj me dy plumba të tjerë e goditi në të dy këmbët Bujar Hasanin, ndërsa Liridon Vranovcit i shkaktoi lëndime të rënda trupore duke e qëlluar me 3 plumba në të dy këmbët.

Përveç për vrasje në tentativë, Cani, njësoj sikurse të dëmtuarit e këtij procesi akuzohet edhe për pjesëmarrje në rrahje.