Gjykimi i aktivistëve | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Flet për Telefonin nga i cili u Pranua Sulmi në Kuvend

Mentor Krasniqi, dëshmitari në gjykimin e katër aktivistëve të Vetëvendosjes të akuzuar për sulmin në Kuvend, u mor në pyetje nga prokurori Abdurrahim Islami kryesisht rreth një telefoni të tipit Samsung.

Prokuroria pretendon se nga ky telefon u lëshua komunikata me të cilën grupi i ashtuquajtur “Rugovasit” pranoi përgjegjësinë për sulmin me mjet shpërthyes në ndërtesën e Kuvendit gushtin e vitit që shkoi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Islami, dëshmitari Mentor Krasniqi tregoi se këtë telefon e kishte pasur në pronësi për një muaj dhe pastaj e kishte ndërruar me një “Nokia”.

Ndërrimin dëshmitari tregoi se e kishte bërë me një person me pseudonimin “Charli”.

“Charli” në procesin kundër aktivistëve dëshmoi në një seancë të mbyllur më herët.

Dëshmitari më tutje tregoi se ndërrimin e telefonit Samsung që pretendohet se u përdor për ta pranuar autorësinë e sulmit nga “Rugovasit” e kishte bërë në muajin gusht të vitit të kaluar.

Ndërrimi sipas dëshmitarit kishte ndodhur pasdite rreth orës 13:00 ose 14:00, katër-pesë ditë para sulmit në Kuvend.

KALLXO.com kishte shkruar se një motoçikletë me të cilën pretendohet se sulmuesit u larguan nga vendi i ngjarjes dhe ky telefon janë provat më të rëndësishme të prokurorisë kundër aktivistëve.

http://kallxo.com/motori-dhe-telefoni-rendojne-mbi-te-arrestuarit/

Dëshmitari Krasniqi që më herët ishte i dyshuar për këtë sulm tregoi se kishte dhënë deklaratë në polici për këtë çështje.

“Nuk më kanë informuar për çka me kanë ndaluar deri sa me kanë çuar në stacion dhe pastaj më kanë thanë se kam ba akt terrorist”, tregoi dëshmitari.

Krasniqi tha në gjykatë se pasi dha deklaratë në polici ishte interesuar që ta kthejë telefonin për të cilin u mor në pyetje për ta marrë vesh se kush e kishte shfrytëzuar në kohën kur ndodhi sulmi.

Aktualisht në procesin ku katër aktivistët akuzohen për terrorizëm po dëshmon taksisti Remzi Zogiani.