Gjykimi i zyrtarëve të "Eco Higjienës" - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Asetet e ‘Eco Higjienës’ në vlerë 70 mijë euro u shitën për 6 mijë euro

Në gjykimin ndaj udhëheqësve të kompanisë “Eco Higjiena”, Senad Ramaj, Bajram Isufi dhe Haxhi Qerimi, të akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare sot kanë dëshmuar tre dëshmitarë.

Dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria treguan për vlerën që kishin asetet e kompanisë së Gjilanit, se si u shitën ato për hekur dhe se si nuk e dinë ku përfunduan paratë e shitjes së bërë pa tender.

Seanca u drejtua nga gjyqtarët Zyhdi Haziri, kryetar i trupit gjykues dhe Berat Spahiu dhe Islam Thaqi anëtarë.

Dëshmitari Berat Ymeri, i cili është vozitës në kompaninë ‘Eco Higjiena’, njësia në Viti, rrëfeu gjatë dëshmisë së tij për procedurën e shitjes së disa pajisjeve të kësaj kompanie, raporton www.kallxo.com.

Ai para trupit gjykues tha se janë shitur 2 kamionë dhe 200 kontejnerë të madhësisë 1/2 dhe 50 kontejnerë të mëdhenj pronë e “Eco Higjienës”.

Dëshmitari Ymeri deklaroi se njëri  kamion i markës “BMC 100”, i vitit 2000, që është shitur, ka qenë donacion nga KFOR-i dhe vlera e donacionit ka qenë në shumën prej 80 mijë marka.

“Po ashtu ka pasur edhe një maunë tjetër “Fiat Iveco”, e cila ka kushtuar 13 mijë marka dhe është marrë nga një shoqatë, dhe ky kamion është shitur në komunën e Vitisë ndërsa sa është shitur nuk e di”, tha dëshmitari Ymeri.

“Nuk jam në dijeni se për sa para janë shitur këta kamionë, dhe as nuk jam në dijeni se ku kanë shkuar të hollat nga shitja e këtyre aseteve. Po ashtu, për shitjen e tyre nuk ka pasur ankand publik, por kam dëgjuar që vlera totale e shitjes së maunave ka qenë prej 70 mijë euro”, tha Berat Ymeri.

Në pyetjen e prokurorit Isuf Sadiku se çfarë pozite kishin tani të akuzuarit në vitin 2013 në “Eco Higjienë”, dëshmitari tha se në vitin 2013 drejtor ka qenë Bajram Isufi, për Senad Ramajn tha se nuk e di se çfarë funksioni ka pasur, kurse Haxhi Qerimi, sipas tij, ka qenë menaxher i “Eco Higjienës”, njësia në Viti.

Ky dëshmitar u ballafaqua nga mbrojtësi i Senad Ramajt, avokati Fatos Zeqiri  me deklaratën e dhënë në Prokurori, ku kishte thënë në atë kohë se “Senad Ramaj i ka dëmtuar sipas urdhrit të menaxhmentit automjetin e markës Man dhe autocisternën”.

Lidhur me këtë deklaratë dëshmitari Ymeri pohoi se e ka thënë ashtu dhe se është e vërtetë që me urdhrin e tyre (menaxhmetit) janë prishur kamionët dhe i është hequr boshti i maunës dhe më pas e kanë shitur.

“Urdhër për këtë ka dhënë Bajrami e jo Senadi”, tha dëshmitari Ymeri, raporton KALLXO.com.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Isufi, avokatit Shemsedin Piraj, nëse ka njohuri për detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të “Eco Higjienës” dhe se ku janë shitur asetet dhe a ka pasur komision për shitjen e tyre, dëshmitari Ymeri tha se nuk i di autorizimet dhe detyrat e drejtorit të kompanisë, se nuk e di ku janë shitur këto asete dhe as nëse ka pasur komision për shitjen e tyre.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Haxhi Qerimi, avokatit Engjull Rexhepi se kur janë shitur asetet e kompanisë, cila ka qenë pozita e Haxhi Qerimit, dëshmitari Ymeri deklaroi që nuk e di cila ka qenë pozita e tij.

Në pyetjen e gjyqtarit Berat Spahiu se a ka pasur procedurë tenderimi me rastin e shitjes së këtyre aseteve dhe nga e dinte ai se nuk janë respektuar procedurat ligjore në shitjen e aseteve, dëshmitari tha se nuk ka dijeni për procedurën e tenderimit nga baza ligjore, “por e di se nuk ka pasur tender ngase askush nuk ka ardhur në kompani për të blerë asetet”.

“Përpara kur janë shitur asetet ka pasur tender dhe kanë ardhur njerëz për blerjen e tyre, kurse në  këtë rast nuk ka pasur njerëz të interesuar”, tha në përgjigjën e tij dëshmitari Berat Ymeri.

Në këtë gjykim dëshminë e dha edhe Kabil Hajdari, i cili deri në vitin 2014 ishte punëtor i kompanisë “Eco Higjiena”, menaxher i njësitit në Viti por që kishte punuar në Gjilan.

Ky dëshmitar tregoi se në vitin 2013, në njësitin e Vitisë është shitur kamioni “Iveco” kontejnerët dhe fshesa për larjen e rrugëve.

“Kam dëgjuar që asetet janë shitur ngase nuk i kam pa më në njësitin e Vitisë, dhe  për shitjen e maunave jam njoftuar nga punëtorët por nuk më kujtohet saktë nga cili”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë, Hajdari tregoi se nga punëtorët ishte njoftuar që kamionët janë shitur për hekur, “dhe me sa jam i njoftuar janë shitur diku për 77 mijë euro”.

“Për këtë më kanë njoftuar punëtorët që i kanë marrë shënimet nga kontabiliteti i firmës”, deklaroi Hajdari, raporton kallxo.com.

Për përfshirjen e Senad Ramajt në shitjen e këtyre aseteve, dëshmitari Hajdari deklaroi se ai në vitin 2013 ka qenë anëtar i bordit të kompanisë, por që nuk ka qenë anëtar i bordit për shitjen e aseteve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Isufi, avokatit Shemsedin Piraj, lidhur me pozitën e rolin e Bajramit në “Eco Higjiena”, dhe kush vendos për shitjen e aseteve të kësaj kompanie, dëshmitari Hajdari tha se Bajram Isufi ka qenë drejtor ekzekutiv në vitin 2013 dhe se vendimin për shitjen e aseteve e merr kryeshefi ekzekutiv.

Më tej ai sqaroi se nuk ka njohuri ku janë derdhur paratë nga shitja e aseteve.

Ky dëshmitar u ballafaqua nga mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Qerimi, avokatit Engjëll Rexhepi lidhur me deklaratën e tij të dhënë në Polici më datë 21 shtator 2016.

“Marrëveshjen për partneritet publiko-privat unë s’e kam pa kurrë, për marrëveshjen në fjalë kam dëgjuar nga punëtorët dhe është ba publike kjo informatë, dhe se mbes pranë deklaratave të dhëna në prokurori e polici”, tha ai.

Dëshmitari për fund shtoi se i akuzuari Haxhi Qerimi ka qenë ushtrues i detyrës së menaxherit dhe ai ka mundur që t’i pengojë shitjet e aseteve të njësisë në Viti.

Ndaj dëshmisë së këtij dëshmitari pati vërejtje të pjesshme prokurori dhe vërejtje të tërësishme nga ana e akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Në fund në këtë gjykim dëshmoi edhe Muhadin Haziri, i cili që nga viti 2014 është emëruar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, anëtar i komisionit të bordit aksionar të njësisë së “Eco Higjienës”.

Ky dëshmitar tregoi se pas emërimit të tij në vitin 2014, kishte lëshuar një shkresë zyrtare lidhur me situatën e aseteve të cilat janë pjesë e kompanisë publike, “ku ju kemi drejtuar bordit të drejtorëve dhe kryeshefit ekzekutiv dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ta”.

“Më pas kemi pa se kemi mungesë të mjeteve të aseteve dhe kam ngritur kallëzim penal në Polici”, tha dëshmitari.

Sipas tij, kishin munguar në njësinë në Viti kamioni “BMC” dhe “Fiat Iveco”, si dhe kontejnerët metalikë që kishin qenë grant i Qeverisë.

Dëshmitari Haziri përmendi emrin e personit Jasmin Avdyli i cili i kishte treguar se asetet janë shitur dhe atë duke treguar emrat e komisionit që kanë marrë atë vendim.

Në atë vendimin për formimin e komisonit ishin emrat e Senad Ramaj, Jasmin Avdyli, Naim Sherifi, komision të cilin e ka formuar Kristjan Moses, i cili ishte kryetar i bordit në atë kohë, tha Haziri.

Dëshmitari Haziri ndër të tjera tregoi se para marrëveshjes për partneritet publiko-privat ka qenë kapitali i KRM “Higjiena” në shumë prej 1.440,000 euro, e më vonë kemi pa se kapitali i kompanisë është diku 700.000 euro.

“Për zvogëlimin e kapitalit të kompanisë kemi kërkuar informatë nga bordi por asnjëherë nuk kemi kurrfarë përgjigje”, tha dëshmitari.

Më tej tregoi për dëmin që ka pësuar pjesa publike ngase sipas tij “janë shitur asetet për mbeturina    pas pesë muajve të marrëveshjes publiko-private, edhe pse ato automjete kanë qenë me libreza dhe se vlera bazë e aseteve në bazë të kontabilitetit ka qenë rreth 70 mijë eurove, kurse shitja  reale e tyre është bërë për 6 mijë euro”.

“Nuk ka pasur asnjë procedurë në shitjen e tyre dhe se këto asete janë shitur në hekurishte”, shtoi ai.

Për këtë shitje dëshmitari thotë se ka qenë vendim i njëanshëm i të akuzuarit Senad Ramaj.

“Unë e kam një pjesë të faturave nga vendi ku janë shitur asetet dhe e kam një raport ku janë të gjitha me një raport përmbledhës në Gjilan e Viti për shitjen e aseteve. Vlera e mbetjes prej 700 mijë eurove të mbetura nga kapitali është bërë nga Senad Rama dhe nga partneriteti privat”, tha Haziri.

Ky dëshmitarë për fund potencoi se në fund të vitit 2014 ka kuptuar se janë shitur asetet e njësitit në Viti dhe për këtë e kishte njoftuar kryetarin e komunës. Lidhur me atë se a duhet të ketë një  zyrë prokurimi në momentin e shitjes së aseteve që janë edhe nga partneriteti publiko-privat, dëshmitari Haziri u përgjigj duke theksuar se gjatë vitit 2013, “Eco-Higjiena” nuk ka pasur zyrë të prokurimit kur është lidhë marrëveshja e partneritetit publiko-privat dhe as aktualisht nuk e kanë.

Sipas prokurorisë Senad Ramaj në cilësinë e ushtruesit të drejtorit të kompanisë “Eco-Higjiena”, Bajram Isufi ish-drejtor ekzekutiv në këtë kompani dhe Haxhi Qerimi si menaxher i njësisë së kësaj kompanie në Viti, akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare sepse gjatë vitit 2013 me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, pa i respektuar procedurat e tenderimit kanë shitur makineritë e kompanisë “Eco-Higjiena” – automjetet transportuese për grumbullim dhe bartje të mbeturinave, si dhe kontejnerët e hekurt, donacion nga KFOR-i amerikan për shumën e të hollave prej 15,170,64 euro, e që vlera reale e tyre ishte 77,655,55 euro, me ç’rast edhe kompanisë në fjalë i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.

Gjykimi për këtë rast do të vazhdojë më 21 dhjetor 2018.