(Arkiv) I akuzuari Zoran Vukotiq në Gjykatë - foto: KALLXO.com

Dëshmitari: I Akuzuari më Rrahu Derisa Mbeta Pa Vetëdije

Në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte, sot dëshmi ka dhënë Behar Pllana.

Dëshmitari tha se ishte 14-vjeçar në kohën kur ndodhën ngjarjet.

Ai tha se ishte në mesin e të keqtrajtuarve nga i akuzuari Vukotiq dhe personi tjetër Gorolub Paunoviq, të cilët përmenden në aktakuzë.

Pas pyetjes se prokurorit, dëshmitari tregoi se çfarë kishte ndodhur më 5 maj 1999 në shtëpinë e hallës së tij, Zejnepe Xhema, në Vushtrrri, ku ai kishte shkuar mysafir.

“Ne kemi qenë brenda në dhomë, kemi ndi disa zhurma dhe krisma në lagje. Ne kemi qenë në dhomën – sallon, e cila i ka pasur dritaret nga dera. Kemi pa që është hapë dera edhe i kemi parë dy persona të armatosur dhe dy femra kanë qenë me ta. Kanë hi brenda duke i goditur ato”, tha dëshmitari, raporton KALLXO.com.

Dëshmitari tregoi se personat që ishin futur në shtëpi e kishin pyetur nëse ai kishte qenë ushtar i UÇK-së dhe pasi që kishin marrë përgjigjen nga ai kishin filluar ta rrihnin.

“Kur kanë ardhë brenda na kanë shti krejtve çka kemi qenë aty me u ulë. Pastaj ka ardhë ky me maskë dhe mu ka drejtu: Ti je UÇK, në gjuhën serbe. Më ka thanë: Qite alltinë. Atëherë unë i kam thanë që s’kam armë dhe më ka goditë me shkelm në fytyrë dhe m’i ka çarë buzët”, rrëfeu dëshmitari.

Tutje, dëshmitari tregoi se si një anëtar të familjes këta dy persona e kishin detyruar që të hante letërnjoftimin e tij.

“Më pas na i kanë lyp letërnjoftimet krejtve rend çka kena pasë. Letërnjoftimi i Vehbiut ka qenë në gjuhën shqipe. E kanë shky dhe ia kanë fut në gojë. Ai s’ka mujtë me përtyp dhe në atë moment e ka nxjerr alltinë ka dashtë me vra ky personi që ka qenë me maskë. Më kujtohet Besarti ka qenë shumë i vogël, ai ka bërtit: kuku babi. Më pas ky personi me maskë ka filluar me e ndjek rreth tavolinës së bukës derisa e ka zënë dhe i ka ra boks“, tregoi dëshmitari.

Gjithashtu, në seancë dëshmitari Pllana tregoi se si personi që ai e identifikonte si personi me maskë e kishte marrë fëmijën e quajtur Endrit nga djepi, e kishte nxjerr thikën, ia kishte vënë në fyt dhe iu kishte thënë: qitni paratë ose pe mbysim. Dhe kur njëra nga gratë aty ishte ngritë duke thënë: Çfarë jeni duke bërë a s’keni ju fëmijë?, personi me maskë e kishte goditur dhe më pas gruaja ishte shtrirë në tokë.

Në fund dëshmitari shtoi se si vetë atë dhe personin e quajtur Nexhmi i kishin nxjerrë një herë njërin e pastaj tjetrin në korridor dhe i kishin rrahur, raporton kallxo.com.

“Këta dy persona e kanë marr Nexhin, e kanë qitë në korridor, kemi ndi zhurma, mandej e kanë pru atë brenda mua më kanë qitë jashtë në korridor. Kur kam dalë më ka goditë një herë personi më maskë e pastaj edhe ky i madhi, më ka godite disa herë sa që unë kam qenë disi pa vetëdije dhe kam filluar as dhimbje të mos ndjej as kurrgjëë“, tregoi dëshmitari.

Këta dy persona dëshmitari në seancë i përshkroi të kenë qenë personi me maskë më i shkurtë dhe kishte pasur armë automatike dhe pistoletë. Gjithashtu sipas dëshmitarit ai kishte qenë çdo herë më agresiv, ndërsa personi tjetër kishte qenë me i gjatë ka pasur automatik dhe nuk ka pasur maskë. “Ndoshta unë kam qenë shumë i vogël në atë kohë por ai më është dukur shumë i madh dhe i shëndoshë“, theksoi dëshmitari.

Ndërsa, në Gjykatë dëshmitari tha që nuk i kishte mësuar emrat e këtyre dy personave as pasi qe kishte ndodhur ngjarja.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.