Pamje nga seanca - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët Mohojnë Deklaratat e Dhëna në Polici

Në gjykimin e Sadik Rashitit, i cili akuzohet për ushtrim ndikimi, kanë dhënë dëshmi dëshmitarët që munguan në seancën e kaluar, me përjashtim të Riad Rexhepit, për të cilin Gjykata tha se mungon ndonëse ftesa i është dërguar me rregull.

Dëshmitë e tyre i dhanë Afrim Pira, Skofiare Pira dhe L. A., të cilët sipas aktakuzës janë edhe pala e dëmtuar.

Afrim Pira para Gjykatës tha se e njeh të akuzuarin Sadik Rashiti dhe se është takuar disa herë me të me ç’rast kanë diskutuar edhe çështjen e vështirësive që ka pasur vajza e tij të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë dhe dëshirën e saj për t‘u regjistruar.

Dëshmitari tha se nga Rashiti ka kërkuar këshilla por nuk i ka dhënë para në shkëmbim të regjistrimit.

“Vajza ime ka hy në test pranues pas përfundimit të testit të maturës. Fillimisht nuk është pranuar por pasi ka bërë ankesë vajza ime është pranuar. Jam takuar me Sadikun sepse ka qenë kujdestar i klasës së vajzës në shkollën e mesme, kam lypë këshillë, sugjerime, ndihmë, sepse kam qenë i interesuar që vajza të regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë por për para nuk kemi biseduar”, tha Piraj

Pasi dëshmitari nuk pranoi pretendimet e prokurorisë se i ka dhënë para Rashitit, prokurorja Dulina Hamiti e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në Polici në korrik të vitit 2012.

Pas leximit të disa pjesëve të deklaratës së tij në Polici, ku dëshmitari kishte dhënë informacione lidhur me zhvillimin e ngjarjeve e të kontakteve në mes tij dhe të akuzuarit ku përmendeshin edhe shuma të parave, Afrim Pira tha se nuk i kujtohej çka ka thënë në Polici dhe se në atë kohë ka qenë në stres.

“Në atë kohë  kam qenë në stres. Policia nga Prishtina kanë ardhë të më marrë  në vendin e punës, ka kaluar një kohë e gjatë për ta ditur vërtetësinë e atyre çka u lexuan”, tha dëshmitari.

Prokurorja e lexoi edhe një pjesë të deklaratës së tij në Polici: “Në janar Sadiku më ka thënë se vajza do të marrë indeksin. Ai më ka lypur edhe 3,500 euro për pushime në Brezovicë, më ka thënë për ata shokët. E kam pyetur se sa kushton për një person dhe ai më është përgjigjur: 500 euro”.

Dëshmitari u përgjigj se nuk i kujtohet, dhe tha se nuk e di a ka pasur bile “Restaurant Eleganca”.

Dëshmitarja Skofiare Pira, e cila tha se aktualisht është studente e Fakultetit të Mjekësisë dega Farmaci, e kontestoi deklarimin e saj në Polici pasi pas kërkesës së prokurores për ta parë nënshkrimin ajo tha se ai nënshkrim nuk është i saj sepse në dokumentet e identifikimit ka nënshkrim tjetër.

Pas konsultave të trupit gjykues ajo deklaratë e dhënë në Polici u vendos që të mos merret parasysh sepse në atë kohë Pira është marrë në pyetje në cilësi të së pandehurës ndërsa tash ajo paraqitet si dëshmitare.

Skofiare Pira tha se ajo është pranuar në fakultet pas ankesës që ajo ka bërë, ku pas rritjes së numrit të studentëve është pranuar në janar të vitit 2011.

“Kam aplikuar në afatin e rregullt, nuk jam regjistruar,  kam bërë ankesë dhe pasi është rritë numri i studentëve jam pranuar në janar ku kam marrë indeksin së bashku me disa studentë të tjerë”, tha dëshmitarja.

Ajo shtoi se nuk i ka dhënë 2,500 euro të akuzuarit për fitimin e kushtit për vitin e dytë siç përshkruhet në aktakuzë.

Se nuk ka dhënë para për arritjen e kushtit për vitin e dytë u shpreh edhe dëshmitarja tjetër L. A.

Sipas aktakuzës ajo i ka dhënë të akuzuarit Rashiti shumën 1,800 euro për të fituar kushtin për vitin e dytë.

“Unë nuk e kam fituar kushtin për vitin e dytë, ndoshta kam biseduar me doktorin por nuk kam përmendur para”, tha A.

Edhe këtë dëshmitare prokuroria e ballafaqonte me deklaratën e saj të dhënë në Polici ku kishte përmendur dhënien e shumës 1,800 euro për Rashitin që i kishte dorëzuar së bashku me indeks në zyrën e doktorit.

Këto pretendime i kundërshtoi dëshmitarja duke thënë se nuk i ka dhënë para të akuzuarit.

Për seancën e radhës pritet të dëshmojë dëshmitari Riad Rexhepi.

http://kallxo.com/policia-nuk-arrin-ti-gjeje-deshmitaret/