Gjykimi i Darko Tasiçit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët: I akuzuari voziti drejt Drinit kamionin me trupa të të vrarëve në Krushë të Vogël

Dëshmitarët në gjyqin e ish-luftëtarit serb Darko Tasiç thanë sot në Gjykatën e Prizrenit se e panë të pandehurin duke ngarë një kamion ngjyrë portokalli që mbante trupa të personave të vrarë drejt lumit Drin pas një masakre në fshatin Krushë të Vogël në mars të vitit 1999.

Sipas dëshmitarëve, kamionit më pas iu vu zjarri dhe u shty në lumë bashkë me trupat që ishin në të.

Dëshmitari Tomë Prekpalaj, nga fshati Bregu i Drinit afër Prizrenit, dëshmoi se e pa të pandehurin dhe babanë e tij me kamionin që mbante kufomat e civilëve shqiptarë.

Ai tha se më 25 mars 1999, forcat serbe detyruan banorët e Krushës së Vogël të largoheshin nga fshati, duke u thënë atyre “të shkonin në Shqipëri”.

Ai dëshmoi se kur rreth 500 deri 600 gra e fëmijë iu afruan lumit Drin duke u përpjekur të iknin, ai dhe motra e tij Marta Prekpalaj dhe të afërmit e tjerë shkuan për t’i ndihmuar ata të kalonin.

“Të shtunën, një kamion portokalli erdhi nga Krusha e Madhe, përmes Krushës së Vogël, pranë Drinit, dhe e shtynë në ujë,” tha Prekpalaj.

Ai shtoi se e pa këtë nga një distancë prej 400-500 metra. “E pashë me të vërtetë mirë, madje edhe me dylbi,” tha ai.

Ai tregoi me gisht të pandehurin në sallën e gjyqit dhe tha: “E njihja Keka Tasiçin, babanë e tij. Por kurrë nuk mendova se ata do të bënin një gjë të tillë pas shpinës sonë.”

Avokati i të pandehurit kërkoi nga dëshmitari që të sqarojë deklaratën e tij të mëparshme dhënë EULEX-it në vitin 2012, kur ai nuk e përmendi emrin e të pandehurit.

Por dëshmitari tha se “duhet të ketë qenë një gabim nga EULEX-i”, duke pretenduar se ai i ka përmendur të dy, të pandehurin dhe të atin, në deklaratë.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se Darko Tasiç, si një anëtar i forcave rezerviste të policisë jugosllave ose forcave paraushtarake, dogji kufomat dhe i hodhi ato në lumë pas masakrës.

Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në konfiskimin e pasurisë, plaçkitje dhe shkatërrimin e paligjshëm dhe të qëllimshëm të pronës, në bashkëpunim me të tjerë identiteti i të cilëve nuk dihet.

Krimet, që përfshinin djegien e shtëpive në Krushë e Vogël, janë kryer mes datës 15 dhe 26 mars 1999, pretendon prokuroria.

Një dëshmitar tjetër, Milazim Duraku, i tha gjykatës të mërkurën se një ditë pasi të gjithë banorët e Krushës së Vogël u detyruan të largoheshin nga fshati, pa kufoma në një kamion portokalli.

“Ishte i hapur nga pas dhe anash dhe pashë kufomat që ishin në këtë kamion,” tha Duraku.

Dy ditë më vonë, dëshmoi ai, e pa përsëri kamionin dhe “nga ai dilte tym dhe një erë jashtëzakonisht shumë e keqe”.

Seanca e ardhshme është caktuar për në datën 4 prill.