Dëshmitarët hedhin poshtë akuzat e Prokurorisë se në ndërtimin e shkollave në Lipjan pati korrupsion

Dyshimet se punët në dy shkolla të Lipjanit njëra në Banullë e tjetra në Kraishtë ishin paguar pa u kryer punimet e kanë ulur në bankën e të akuzuarëve Hasim Vishesellën.

Prokuroria pretendon se ai lejoi pagesat për kompanitë prej 44 mijë eurosh për kompaninë “Stublla” dhe pagesën prej rreth 25 mijë eurosh për kompaninë “Te Muhameti” edhe pse kompanitë nuk i kishin përfunduar punimet.

Zyrtari i komunës së Lipjanit ishte menaxher i projektit të ndërtimit të shkollave ndërsa pretendohet se nënshkroi dokumente të cilat dëmtuan komunën me një vlerë prej 70 mijë eurosh.

Për ta argumentuar akuzën prokuroria në gjykim të premten ka ftuar Ilir Tashollin ish-drejtor i Urbanizmit në Lipjan dhe njëherit menaxher i të akuzuarit Vishesella.

Tasholli në deklaratën e tij para Gjykatës tregoi se ka nënshkruar raportet e Vishesellës dhe të njëjtave u kishte besuar pasi ishin të kryera me shkrim.

“Nuk besoj që ka mundur me nënshkru ndonjë raport për punimet te cilat nuk janë përfunduar”, u përgjigj ai.

I ulur në karrigen e dëshmitarit, Ilir Tasholli hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë se buxheti është dëmtuar gjatë ndërtimit të këtyre shkollave.

“Komuna e Lipjanit dhe MASHT nuk kanë pësuar dëm material dhe nuk jam në dijeni që operatorëve ekonomik sipas këtyre dy kontratave ju është shkaktuar ndonjë dëm”, tha në fund dëshmitari Tasholli.

Për të dëshmuar në proces është thirrur edhe Musa Shala, zyrtar i Ministrisë së Arsimit. MAShT dhe Komuna e kishin bashkëfinancuar ndërtimin e shkollave në fshatin Banullë dhe Kraishtë

“Nuk jam në dijeni, në lidhje me marrëveshjen e këtyre dy shkollave nuk është paguar asnjë cent më shumë”, ka rrëfyer dëshmitari.